Arshi PIPA si shembull i artistit të pathyeshëm ;Shkruan Prof. Dr.Milazim KRASNIQI

                Vëllimi “Libri i burgut” i Arshi Pipës (1921-1997), përbëhet nga nëntë cikle, prej të cilave autori thotë se vetëm i pari dhe i nënti u krijuan jashtë mureve të burgjeve e të kampeve, ndërsa të tjerat, që të gjitha u krijuan atje. Pipa arsyeton vendimin që të shkruante në poezi për atë temë: “Vargu asht për natyrë të vetën më synthetik, edhe atëherë kur asht përshkrues. Ose, me fjalë ma të shkoquna: xen vend ma pak dhe ruhet ma mirë. Prandaj, Libri i burgut u shkruejt në varg”. Edhe kjo rrethanë, pra e zgjedhjes së poezisë si mjet më i përshtatshëm në kushtet ekstreme të jetës, nuk ka si të mos ketë ndikimin e vet në vetë tensionin e vargjeve dhe në komunikimin e lexuesit me to. Një poezi që është shkruar nga nevoja konkrete se zë vend më pak, sepse kërkon më pak letër dhe mbahet mend më lehtë, detyrimisht e orienton lexuesin e vet që ta përjetojë më fort emocionalisht.

Vëllimi “Libri i burgut” është i ndarë në nëntë cikle a kapituj. Edhe kjo ndarje është bërë e diktuar nga faktorë të jashtëm, për të cilët autori shkruan: “Zhvillimi u paraqit në radhë kronologjike. Libri u nda  ndër aq kapituj sa qenë vendet e ndryshme ndër të cilat u shkruen vargjet. Ndër kta kapituj vetëm i pari dhe i fundmi nuk u shkruejtën në burg. Të shtatë tjerët janë si suaza të mëdha të jetës dhjetë vjelare të burgut dhe të kampit, gjatë gjithë kohës së jetës sime n’atdhe nën sundimin komunist (1944- 1957)[1] Edhe ky shpjegim i autorit i ndihmon lexuesit në orientimin e tij gjatë leximit të këtij vëllimi, në mënyrë që të mos shkëputet nga përjetimi fillestar se po lexon një poezi të krijuar në kushte të jashtëzakonshme dhe e cila edhe në natyrën e vet ka marrë tiparet e rrethanave në të cilat është krijuar, pra është bërë edhe vetë një poezi e jashtëzakonshme. Aksidenti jetësor i Arshi Pipës sikur ka dashur që të krijojë një precedent në artin letrar: definicioni i Aristotelit për dallimin ndërmjet poezisë e historisë, në këtë rast nuk funksionon. Poezia e Arshi Pipës nuk tregon atë që ka mundur të ndodhë, po atë që ka ndodhur vërtet,  poezia e Pipës nuk tregon gjëra të përgjithshme po gjëra konkrete dhe të vërteta, duke ia eklipsuar ashtu natyrën edhe vetë historisë.

“Kanali” – papërsëritshmëria e artit

Kapitulli i IV i vëllimit “Libri i Burgut, Kampi Vloçishtit, Korçë, (Korrik B nanduer, 1948)” paraqet një objekt të jashtëzakonshëm studimor lidhur me sonetin në poezinë shqipe. Në këtë kapitull është përfshirë cikli prej njëzet e katër soneteve me titull të përbashkët “Kanali” dhe një sonet me titull “Tingëllim i këputun”. Njësitë e ciklit  “Kanali”  janë të shënuara me numra rendorë dhe numërimi i vargjeve është bërë ashtu që ato të paraqesin një tërësi prej treqind e tridhjetë e gjashtë vargjesh. Kësisoj ky cikël paraqet një tërësi unike tematike dhe artistike, të papërsëritshme në poezinë shqipe.

Poeti Arshi Pipa në shënimet me të cilat e ka shoqëruar vëllimin “Libri  burgut”, lidhur me ciklin “Kanali” ka lënë këtë dëshmi: “ Ato u shkruejtën gjatë intervalit të ndenjës sime në Spitalin e Korçës dhe në burgun e Korçës.”[2]  Pra, ky cikël i jashtëzakonshëm i soneteve të Arshi Pipës, është shkruar pothuajse me një frymë, ngase periudha e “pushimit” në spital zakonisht ishte e shkurtër dhe pasonte rikthimi në punën  e rëndë në kamp. Mirëpo, autori ka arritur që ti hedh në letër këto sonete për një kohë të shkurtër për arsye se ai më parë i kishte krijuar në mendjen e vet, për çka ai ka lënë dëshmi konkrete. Nga kjo pikëpmaje, pra nga rrethanat në të cilat krijoi poeti, ai mbase mund të krahasohet me Dante Aligierin, i cili një pjesë të “Komedisë Hyjnore” e pati krijuar në shpellë, ku qe fshehur, për të shpëtuar nga ekzekutimi i dënimit me vdekje, që i ishte shqiptuar nga kundërshtarët politikë. Nuk është e mundshme të argumentohet se a e ka pasur ai vetë këtë shëmbëllim para sysh, kur ka vendosur që të krijojë në formën e sonetit një pjesë të poezisë së tij, por kjo pa dyshim është një koincidencë e habitshme.

Cikli i soneteve “Kanali” është një rrëfim poetik tronditës dhe i nuancuar me detaje të shumta, për jetën e të burgosurve në burgjet dhe në kampet e punës në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Në secilën njësi sonetike shpaloset një pikturë e jetës së këtyre njerëzve në zgripc të ekzistimit, në vorbullin e rrëmbyeshëm të vuajtjeve e të torturave të tmerrshme. Këta njerëz janë shumë, edhe kolektivitet i gjendur në një fatkeqësi të përbashkët, po edhe individë konkretë, të cilët goditen nga fati i keq. Arshi Pipa ka lënë edhe shënime të shumta si prova dëshmie lidhur me ngjarjet që përshkruan në sonete, duke përmendur edhe vende, ngjarje e emra njerëzish, si viktima po edhe si ekzekutorë të dhunës së shfrenuar. Edhe kjo natyrë mikste e poezisë së tij të vëllimit “Libri i burgut”, duke përfshirë edhe ciklin “Kanali”, e bën këtë poezi të jashtëzakonshme në tërësinë e saj dokumentare dhe artistike.

Që në sonetin e parë të ciklit “Kanali”, Arshi Pipa ka pikturuar ( po të huazojmë e ta modifikojmë një shprehje të tij nga shënimet përcjellëse), gjendjen e të burgosurve në barrakën ku nuk kishte as kushte elementare të jetës, po ku ata jetonin dhe luftonin për t’i shpëtuar shfarosjes. Vuajtja e njerëzve të lodhur e të drobitur nga puna e rëndë e nga kushtet e këqia atmosferike e të strehimit, sëmundja vdekjerurëse që herr njerëzit, pastaj degradimi moral i disave, në kushtet e skëterrshme të jetës, dhe dhuna që ushtrohet mbi ta nga njerëzit e pushtetit, madje harxhimi i të gjitha energjive dhe përpjekja për të shpëtuar nga shfarosja, janë kuadri i kësaj pikture të jashtëzakonshme poetike:

Nga Korça bumbullon. Currila shiu

Rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.

Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:

Një lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje. Dikush përbri qet gjak për goje.

Këndon letas mbatanë nji fmi arixhiu.

Ky grindet për pak uj qi shoku i piu:

Ai shan se i vodhën bukën. Hin nji roje.

Shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili.

Pushim. E dergjet lodhja, pranë secili,

E flen kush mundet për atë natë me fjetë.

Si lazaret rënkon e fshan baraka.

Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,

Veç atyne qi pret një vorr i shkretë.

Pas dy vargjeve të para, ku fiksohet atmosfera dramatike e motit të keq, ligjërimi poetik në dy katrenat fokuson gjendjet dhe situatat tragjike të njerëzve të burgosur. Ndërsa ne tercetën e parë menjëherë ndodh një dendësim i hatashëm i ligjërimit, ku vargu i parë i kësaj tercete ndërprehet tri herë me pikë, duke shpërfaqur gjendje të ndryshme, secila më dramatike se tjetra, (Shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili). Leksiku më i dallueshëm i këtij soneti është i sferës së mjerimit social (shtroje, mbuloje, uj, bukën, baraka, kanali, brraka), ndërsa tortura që përjeton njeriu i privuar nga liria, shpaloset me një seri sintagmash interesante:  (gjak për goje, shkopinj e shqelma, dergjet lodhja, vorr i shkretë). Kjo denduri e fjalëve dhe e shprehjeve që shprehin kuptime e nuanca kuptimore të jetës në zgripc ekzistencial, i jep sonetit një tension më të fortë ligjërimor dhe ritmik.

Shihet se aktivizohen më shumë fjalë të shkurtëra, dyrrokëshe, e më pak fjalë kumbuese tri a katër rrokëshe. Në kontekst të rrëfimit poetik, kjo përzgjedhje fjalësh të shkurtëra, aspak kumbuese, më shumë gjason me një pëshpëritje, të folur nën dhëmbë: e flen kush mundet për atë natë me fjetë.

Është me interes të vërehet edhe gradualiteti kohor në të cilin ndodh kjo vuajtje  e dhunë, sepse ky gradualitet kohor shndërrohet edhe në një konstituent të përjetimit estetik. Në katrenën e  parë nuk ka një saktësim të kohës, por nga konteksti ( të burgosurit janë në barrakë, mundohen të rimarrin veten), del se është një pasditje. Në katrenën e dytë saktësohet koha që na vargun e parë, gjë që edhe retroaktivisht e saktëson kohën e paemërtuar në katrenën e parë. Në tercetën e parë, tashmë përftohet nga kohë më e thellë e natës ( e flen kush mundet për atë natë me fjetë), ndërsa në të dytën përfytyrohet dita e nesërme (Nesër të gjithë i pret kanali, bërraka). Kështu, poeti ka bërë një zbërthim gradual të kohës në të cilën të burgosurit vuajnë e torturohen, dergjen  e vdesin, duke e sugjeruar përsëritshmërinë, totalitetin e saj, si kornizë të vuajtjes njerëzore.

Në pajtim me këtë gradualitet të zbërthimit kohor të vuajtjes njerëzore, dhe të nuancimit të saj, është edhe autonomia sintaksore e katrenave dhe e tercetave. Asnjëra prej tyre nuk bartet në njësinë pasuese, velse funksionojnë si të mbyllura në vete. Në katrenën e parë përftohet emri Korça, për të dhënë idenë e ambientit konkret, Kampit të Vloçishtit dhe një pamje e përgjithshme e gjallimit në barrakë. Në katrenën e dytë, nuancohen pamje konkrete të vuajtjes së njerëzve konkretë. Në tercetën e parë, e cila duket pak më e ndëlidhur me katrenën e dytë, që në vargun e parë: “shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili”, skicohet shprishja, dhuna dhe mandej agonia që pason. Ndërsa, në tercetën e dytë, është më shumë një përfytyrim i subjektit poetik për mjerimin kolektiv, vuajtjen që i pret ata njerëz dhe për vdekjen si një fat i rezervuar për disa nga bashkëvuajtësit.

Skena e dhembshme ku të burgosurit përpiqen të mbijetojnë urinë, duke ngjyer bukën në kripë, duke qëruar ndonjë qepë, a duke u vërsulur drejt kazanit për të rrëmbyer një fundërrinë në të, është shpalosur me efekte të habitshme në sonetin e dytë të ciklit “Kanali”. Torturat ndaj të burgosurve, jo vetëm me punë të rëndë fizike, po edhe me shkaktimin e urisë kronike, kanë arritur që ata njerëz tçi shndërrojnë në qenie që vetëm kanë figurën njerëzore. Dhe në sonetin e tretë, vargu i parë është në formë të pyetjes dhe të ftesës që të shikohet ajo gjendje e mjerimit të parrëfyeshëm:  “A mund të quhen njerëz? Qe, shikoi.” Gjysma e vargut e ballafaqon lexuesin me dhënien e vlerësimit për gjendjen në të cilën janë katandisur qeniet njerëzore nga dhuna, ndërsa gjysma e dytë e vargut zbulon pozicionin e poetit: ai bën ftesë për dëshmi e për dëshmitar.

Përshkrimi i gjendjes së mjerë të të burgosurve shtrohet në katrenën e parë dhe në tri vargjet e katrenës së dytë, ndërsa gjysmëvargu i tretë i katrenës së dytë, sërish shndëerrohet në pyetje, në kërkesë për vlerësim të identitetit njerëzor të atyre qenieve të shkatërruara nga dhuna. Më tutje, në dy tercetat e sonetit, ligjërimi merr një intonim më racional, më të qetë, duke u shndërruar në vlerësim logjik të subjektit poetik:

Njerëz kanë qenë. Sot janë zhele mishi,

Automa kockash. Një bërsi, nji pleh,

Ku veç prej emnave dallojn e njeh

Bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,

Kusarin, simahorin, lakanderin

Prej atdhetarit qi luftoi për nderin.

Radhitja e katër metaforave brenda dy vargjeve të para, ku shpërfaqen gjendje të rënda të katandisjes njerëzore, është një shembull i rrallë i koncentrimit të kaq energjie poetike në vetëm dy vargje. Është një koncentrim që buron nga përjetimi dhe njohja e thellë e asaj gjendjeje, e atyre përfarimeve figurative e jetësore dhe një aftësi e jashtëzakonshme krijuese, për ta kontrolluar ligjërimin poetik. Pastaj shfaqet pamja absurde e rrafshimit negativ social e moral të njerëzve, të shresave sociale e intelektuale, nga një doktrinë dhe nga një praktikë lnjerëzore. Barazia në mjerim, në shkatërrim të identitetit dhe në fakt në procesin e shfarosjes së racës njerëzore, ta kujton detyrimisht historinë e dhembshme të kampeve naziste e staliniste të shkatërrimit në masë të njerëzve. Mbetja e mundësisë që njeriu të njihet vetëm nga emri i tij,  është dëshmi se ata njerëz janë shkatërruar, janë vrarë. Këtë nivel të përjetimit poetik, pra të gjetjes së dimensioneve të shumta të ideve të vargut, e gjejmë të shtresuar në këto vargje të Arshi Pipës.

Në sonetet pasuese, IV e V, poeti ka fiksuar pamje konkrete të dhunës që shkakton puna e rëndë, puna e detyrueshme në kanal. Këto sonete janë në nivel të përshkrimit krejt autentik të përjetimeve, ku poeti ka arritur të operacionalizojë rrëfimin poetik me disiplinën e tij të njohur. Në sonetet VI, VII, VIII e IX, është shpalosur dhuna shtesë, që e bënin policët kundër të burgosurve, ku dhuna në fakt ishte një lloj argëtimi sadist i përfaqësuesve të diktaturës komuniste. Edhe në gjendje ekstreme jetësore si ato që rrëfen, poeti Arshi Pipa është një poet plotësisht  racional, i cili lë dëshmi për absurditetin e diktaturës. Në tercetën e parë të sonetit VI, leksiku i përdorur tregon më shumë se gjithlka tjetër absurditetin e natyrës së asaj dikature dhe të zbatuesve të saj. Ata e quajnë të burgosurin “këlysh i  Carit”, me lka zbulohet fuqishëm natyra prej plagjiati e asaj diktature.  Këlysh i carit mund të quhej dikush në Rusi, ku kishte një regjim carist, po jo në Shqipëri, ku nuk ka sunduar ndonjherë carizmi. Pra, është fjala pë një plagjiat nga praktika staliniste, gjë që zbulohet edhe nga fjalët e përdorura në nivel denoncimi e ndëshkimi. Arshi Pipa, si rrallë ndonjë poet tjetër që ka shkruar për diktaturën, promovohet si poet që ka aftësi të mëdha zhbirimi në këto humbella të ideologjisë lnjerëzore dhe të sadizmit që ushqehet prej saj. Tortura ndaj të burgosurve, e shndërruar në argëtim për rojat, përshkruhet me një vijë dramatike në dy tercetat e sonetit VII:

Nji babaj zhgulin mjekrrën, e pështijnë.

“pa shih, derri! Akoma bark më ka!

Ngre kambët sqap!… Mos ki merak baba!

Ta heqim ne” mandej në hendek e shtijnë.

E i këqyrë nji idiot me gojën hap… i kllasin

Befas nji grusht me dhe… mandej gajasin.

Arshi Pipa është poet i vrojtimit të nuancuar dhe i gjykimit të ftohtë, edhe në raste kaq dramatike, të cilat nuk janë produkt i imagjinatës së tij, po produkt i dhunës ndaj tij dhe njerëzve të afërt për nga fatkeqësia. Pipa jep dëshmi se tortura është gjithëpërfshirëse, totale, si ndaj një udhëheqësi shpirtëror ( babaj), si ndaj një idioti, që nuk e ka aftësinë  e gjykimit kritik për tmerrin që sheh.

Në sonetet X, XI e XII zbërthehet poetikisht enigma e veprave të mëdha që bën robërit, të burgosurit shqiptarë të diktaturës së egër komuniste. Fillimisht kjo punë e llahtarshme zbërthehet në truallin konkret, aty ku robërit e kohës moderne lanë eshtrat e tyre për hapjen e kanaleve me punë të detyrueshme. Edhe pse poeti thotë se vetëm proza do të mund ta thoshte të vërtetën, janë po vargjet e tij që e thonë atë të vërtetë, sa ta bëjnë njeriun t’i çohen flokët përpjetë e t’i dridhet shtati:

Proza, jo vargu i mallëngjyem lyrik,

T’i thotë me rend të gjitha sa ktu pati:

T’i çohen flokët përpjetë, t’i përqethet shtati

Kujdo lexon kanalin satanik.

Shtatë muej me radhë kjo punë e poshtër zgjati.

Kanali i Klosit, tjetri n’ Libonik,

Dhe Dunaveci i namun, për anmik:

Njizet mijë kilometra me Devollin mati.

E nuk besojshim qysh i kishim ba.

Gjithë kët fuqi ku, vall, e patën trupat,

Kufomat tona t’shtrydhuna si shtupat?

Ligjërimi poetik shtrihet mes paradoksesh kuptimore: vepra të mëdha të punës në vende konkrete, ( Klos, Libonik, Dunavec, Devoll), janë kryer nga kufomat e shtrydhuna si shtupat. Po kjo linjë e ligjërimit poetik shpaloset edhe në sonetin XI, ndërsa në sonetin XII zgjerohet dimensioni kuptimor i këtij paradoksi jetësor e historik, duke sjellë në kujtesë të lexuesit edhe ngritjen e piramidave egjiptase, të  Koloseumit romak dhe të kanaleve ndërmjet Moskës e Vollgës, që të gjitha këto vepra të miliona skllevërve.

Vuajtja e të sëmurëve në infermierinë e kampit, meditimi për ngjashmërinë e kampit me ferrin, janë tematizuar në sonetet XIII, XIV e XV, me një ton më të qetë, me meditativ.

Në sonetet XVI, XVII e XVIII shpaloset një dimension i dhembshëm i natyrës së njeriut të gjendur në mjerim, kur degradon në mënyrë të frikshme në një qenie pa dinjitet e pa moral. Ky aspekt i tematizimit poetik të Arshi Pipës,  na i kujton tregimet e Shalamovit, në të cilat përshkruhet ai nivel i degradimit njerëzor, kur të burgosurit gëzohen për vdekjen e ndokujt, me shpresë se do të mund të plaçkitin diçka prej tij. Madje edhe në varrezë shkojnë natën dhe i heqin të vdekurit rrobat e trupit, në mënyrë që t’i veshin vetë e ta përballojnë të ftohtit siberian.

Tematizimi kaq identik i këtyre gjendjeve të dhembshme të degradimit të njeriut, është rezultat i përvojës së njëjtë, ndërmjet Pipës e Shalamovit. Këtu edhe mund të kuptohet çështja e ndikimit të përvojave personale në krijimin e veprave me tematika të afërta ose edhe të ngjashme, që nuk janë rrjedhojë e ndikimeve direkte të një autori te tjetri.

Por, Arshi Pipa si njeri dhe si poet racional, me fuqi të madhe morale, nuk lë pa i thur edhe një lavd miqësisë ndëmjet njerëzve, edhe në atë fatkeqësi të parrëfyeshme ku gjenden. Bile ai thotë se “ nuk harrohet kurr shoku i mjerimt”, duke e nxjerrë atë lloj miqësie ta lidhur në mjerim, si kulmin e sinqeritetit e të dëlirësisë njerëzore. Pipa nuk lë pa fiksuar edhe momente meditimi për ngrohtësinë  e vatrës, për ditët e humbura të rinisë dhe për zbulimin e enigmave të së kaluarës në thellësitë e kanaleve, për kampet naziste të përqendrimit, si Buhvaldi, Majdanpeku e Dahau, dhe duke e përqasur me kampet shfarosëse të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Duke iu afruar përmbylljes së kësaj kryevepre të vet, Arshi Pipa, fillon e krijon edhe disa konkluzione poetike. Kësisoj, në sonetin XXII, pasi kërkon shkaqet e barbarisë së ushtruar mbi të burgosurit shqiptarë nga regjimi që i thotë vetes shqiptar, ai sajon këtë konkuzion poetik:

Qysh pra vëlleznit tanë punuen mbi ne

T’atillë një dhunë qi s’banë as Turq as Shqe?

Nga trolli i vendit duel e u rrit kjo farë?

Nji djall e mbolli te nji vend i verbën.

Shqiptarë ata qi e pollën? Queji Serbën,

Bullgarë e Grekë e Rusë!… Por jo Shqiptarë! 

Pas gjithë atyre mundimeve, pas gjithë atyre torturave të përjetuara, sërish poeti dhe njeriu Arshi Pipa është shumë racional, gjakftohtë dhe njerëzor. Ai  nuk shqipton ndonjë urrejtje iracionale dhe as kërkon ndonjë hakmarrje. Ai vetëm kërkon që torturuesit e tij dhe të shokëve të tij, te emërtohen me lfarëdo emri tjetër, po jo me emrin shqiptarë, sepse këtë emër ai e do të pastër, të pa asnjë njollë. Dhe si kurorë e këtij ligjërimi të dhembshëm, por gjithnjë të kthjellët, është soneti i XIV, në të cilin poeti i thur një lavdi forcës së besimit të njeriut. Ai argumenton se “besimi i ngultë, forca e shkakut” i ka ndihmuar atij dhe disa të tjerëve që të mbijetojnë në ato kushte , për të cilat shkenca nuk ka përgjigje se si është e mundur të shpëtojë njeriu. Pas argumetnimit të shpëtimit me forcën e besimit në veten, Pipa shpalos besimin  në atdheun, në të ardhmen e tij:

Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë

Nga tyranija e randë atdheu do t’ shkundesh,

Dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh

Ma e bukur do t’ shkëlqente besa jonë.

Vuej por qëndro! Merr zemër te burrnija!

E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!

Kështu, përmbledhja e fijeve kryesore të ideve poetike të kësaj kryevepre të Arshi Pipës, bëhet me poteza të shpejtë, në disa vargje gjithsej. Poeti thotë se nuk është dyshuar se tirania do të shkundej dhe se atdheu sërish do të dilte në dritën e lirisë, se besa për të qëndruar do të shkëlqente atëherë më shumë se kurrë, se vuatja duhej të mundej nga qëndresa dhe se forca e ka burimin te burrnija dhe mbi të gjitha, si një formulë e përjetshme poetike dhe atdhetare, njeriu shqiptar duhet të vdes duke brohoritur “ Rroftë Shqipnija”. Pra, një urim dhe një urdhër i përjetshëm i zemrës dhe shpirtit të çdo atdhetari të pamposhur.

Një botë e strukturuar

Soneti është një formë poetike e njohur për karakterin e vet lirik dhe për dominimin  efekteve  metrike e eufonike në varg. Në rastin e soneteve të Arshi Pipës, veçmas të ciklit “Kanali” dhe të varianteve të tij, ne ballafaqohemi me një fenomen interesant: soneti ka një fuqi të jashtëzakonshme të bartjes së informatës, të faktografisë dhe të narracionit. Poeti Arshi Pipa ka lënë dëshmi se vargun, në këtë kontekst edhe sonetin, e ka përdorur për arsye se  zinte vend më pak dhe mund ta mbante mend më lehtë, përndryshe ai thotë se kësaj teme më shumë do t’i shkonte mbarështrimi në prozë. Por, me koncentrimin, talentin dhe dijen e tij, ai ka arritur që vargut të sonetit tçi ngarkojë një energji të jashtëzakonshme të informacionit, të faktografisë dhe të naracionit poetik, që besoj se rrallë mund të gjendet edhe një shembull tjetër në letërsi. Pipa ka adoptuar ritmin e vargut në narracionin që është më i afërt me prozën dhe ashtu krijuar një bashkëdyzim të jashtëzakonshëm artistik.

Duke qenë të krijuara në kujtesë, me synimin që të mbahen mend, këto sonete domosdo kanë përjetuar një seleksionim të fuqishëm në trurin e poetit dhe pasaj në gjuhë, në mënyrë që të krijohen vargje që mbahen mend më lehtë. Kjo do të thotë se vargjet i janë nënshtruar një procedure të shndërrimit të tyre në vargje sa më ekspresive, sa më shprehëse në planin semantik, sa më emocionale në planin leksikor dhe sa më informuese në planin e komunikimit.

Lexuesi i ciklit të soneteve “Kanali”, mund të mbledh informacion të madh për mekanizmin e diktaturës kundër të burgosurve, për mënyrën e punës dhe të torturave në ato burgje dhe kampe, për vuajtjet e njerëzve, për degradimin e një pjese të tyre dhe për madhështinë morale të disa të tjerëve, pa pasur as më të voglën vështirësi nga fakti se këtë rrëfim e shijon në vargje. Pipa ka arritur që të gjejë pikën e artë të ekuilibrit ndërmjet formës poetike, natyrës së vargut dhe potencialit të tij për të bartur narracionin poetik. Rrjedhimisht, ai ka inkuadruar në tekstin poetik më pak figuracion e më shumë informacion, më shumë fakte e më pak fiksion, më shumë biografi e më pak imagjinatë poetike.

Pipa ka gjetur zgjidhjen e artë ndërmjet ligjërimit të drejtpërdrejtë, leksikut adekuat që shpreh gjendje e situata të qarta, sintagmave mbresëlënëse, figuracionit që deshifrohet lehtë në kontekst të realitetit dhe përgjithësisht të vargut që është me shkallë të lartë të komunikativitetit. “Zgjedhja nga ana e shkrimtarit, e zhanrit, stilit ose drejtimit artistik, gjithashtu është zgjedhje e gjuhës në të cilën ka synim të flet me lexuesin”.        

Në rastin e ciklit “Kanali” të Pipës, sikundër është thënë më herët, zgjedhja është e imponuar nga faktorë të tjerë jashtë krijues. Pra, zgjedhja e vargut si zhanër dhe e sonetit si formë është bërë me motive praktike e jo vetëm artistike. Mirëpo, poeti Arshi Pipa e ka zotëruar këtë rrethanë të papërshtatshme, falë talentit të tij të jashtëzakonshëm. Ai ka arritur që në një zhanër joadekuat, sipas tij, megjithatë të realizojë konceptin e tij poetik dhe ta krijojë një vepër me ngarkesë të madhe semantike e artistike, duke e përdorur gjuhën me mjeshtri të rrallë. Sonetet e Arshi Pipës të ciklit “Kanali”, kanë  thyer disa konvenca të ngulitura, lidhur me aftësinë e vargut në përgjithësi dhe të sonetit në velanti. Ato kanë dëshmuar se fuqia e vargut është shumë më e madhe nga sa perceptohet rëndom.

Një libër poetik si “Libri i Burgut” i Arshi Pipës dhe cikli “Kanali” brenda saj, i krijuar në rrethana aq të pazakonshme, ku jeta e autorit ishte e mbështjellë në mundimet e vuajtjet për të cilat rrëfen, dhe për më tepër, ku jeta e autorit ishte në rrezik, e ka më shumë se çdo vepër tjetër brenda vetes sistemin e shenjimit të asaj drame personale dhe të atij rreziku. Kjo është edhe më e qartë kur vetë autori thotë se i krijoi ato vargje për të lënë një dëshmi për tmerrin që përjetoi ai dhe shokët e tij nëpër kampet dhe burgjet e dikaturës komuniste. Rrjedhimisht, leksiku i poezisë së Pipës dhe veçanërisht i ciklit të soneteve “Kanali”, i cili është tematizim direkt i atyre vuajtjeve e i atij rreziku, buron nga realiteti jetësor e social, të cilin e aktualizon poetikisht. Në vargjet ku dëshmohet terrori dhe tortura, ku fiksohet vuajtja dhe shfarosja e njerëzve, është e pashmangshme një prezencë maksimale e fjalëve që shprehin më besnikërisht ato gjendje e ato situata ekstreme jetësore. Në këto vargje ka më pak figuracion, e më shumë të folur direkt, sepse intenca e autorit është që të dëshmojë. Prandaj, në vargjet e ciklit të soneteve “Kanali”, më së shumti frekuentojnë fjalët si: baraka, brraka, lluca, arna, patkonj, pleh, molali, spitali, krrut, tabut, knetën, tuberkuloz, kërbisht, kamxhik, komanda, tel, handraku, xhiriza, kllasin, gajasin, lakajt, krymtë, Faraoni, Neroni, Moskova, hendekë, djerrë, lak, tmerri, Ferri, baltë, krraba, iriq, lakuriq, zhaba, dhuna, spijuna, majmuna, vejushë, kanalit, Dahau, vrau, dosa, Shqe, Serbën, skelet, torturë, mokën, skëterrë, etj. Këto fjalë dhe shumë të tjera, që më të shumtën janë vënë edhe në pozicion të rimave, për të marrë sa më shumë koncentrim kuptimor mbi vete, shprehin situata e gjendje konkrete jetësore e jo projeksione imagjinare poetike. Pra, krejt në pajtim me temën e ciklit të soneteve Kanali, këto fjalë shprehin gjendjen e rëndë, mjerimin dhe rrezikun që i kanoset autorit dhe njerëzve të tjerë si ai, me çka këto vargje bëhen jo vetëm dëshmi konkrete po edhe argument artistik i asaj vuajtjeje dhe i asaj mbijetese.Ndoshta rasti i Pipës mund të kuptohet më mirë brenda vlerësimit teorik se “ poeti më nuk na paraqet një botë të vlerësuar, po një botë të strukturuar. Në këtë kuptim poezia sot i afrohet shkencës, ndërsa ndahet nga magjia.”[3] Poezia e Pipës vërtet paraqet një botë të strukturuar, shumë komplekse dhe mënyra si na e paraqet është më afër faktit, më afër dokumentaritetit, e pse jo edhe më afër shkencës. Pipa e ka pasuruar poezinë e vet edhe me një fjalorth, i cili i jep mundësi lexuesit që të plotësojë informacionin  e vet me kuptimet e nuancuara të fjalëve. Poashtu Pipa ka lënë edhe shënime faktografike për rrethanat konkrete në të cilat është gjendur dhe të cilat kanë motivuar krijimin e poezisë së tij. Këto shënime janë dokumentare, me emra personash e me emra vendesh, me data e me fakte të tjera historike e politike. Të dyja këto anë të veprës së tij, pra fjalorthi dhe Shënimet, janë një kontribut i dobishëm për lexuesin që ta pasurojë shkallën e komunikimit dhe të përjetimit të kësaj vepre artistike.

Struktura metrike, rimat dhe bartjet në ciklin “Kanali”

Sonetet e ciklit “Kanali” janë të krijuara në njëmbëdhjetërrokësh dhe në tërë shtrirjen e tyre  e ruajnë si zotërues këtë metër, kejt në pajtim me natyrën klasike të sonetit. Duke pasur para sysh mënyrën e krijimit të tyre, është gati e pabesueshme se si ka arritur autori të ruajë atë saktësi metrike në vargjet e tij të këtij cikli. E drejta, Arshi Pipa ka një prirje të theksuar për vargun e lidhur, gjë që shihet gati në tërë veprën poetike të tij.

Për dallim nga shumë poetë të tjerë shqiptarë, të cilët për të arritur njëmbëdhjetërrokëshin, kanë përdorur dendurisht apostrofin, elizionin dhe procedura të tjera intervenimi në varg, Arshi Pipa, krejt natyrshëm e realizon njëmbëdhjetërrokëshin, madje me një elegancë të dukshme. Kombinimi i rrokjeve të theksuara dhe të patheksuara si dhe i theksave ritmikë në varg është elastikë, i lëvizshëm, në pajtim me natyrën e versifikacionit shqip. Duhet të thuhet se tërë procedurat krijuese të Pipës, pra edhe këto të nivelit metrik në sonetet e ciklit “Kanali“, janë në funksion të rritjes së fuqisë informuese të vargut, të komunikimit sa më të plotë dhe më emocional të informatës poetike. Por, edhe në situatat kur dominon ky koncepcion krijues, ruhet me sukses të madh autonomia e fjalëve në varg, përfshirë këtu edhe natyrën e theksave tonikë të tyre.

Njëmbëdhjetërrokshi i soneteve të Arshi Pipës tregohet i aftë që të bartë një ngarkesë të jashtëzakonshme kuptimore dhe poetike, si në shembujt më të spikatur të poezisë sonë kombëtare dhe të asaj botërore.

Sa i përket rimës, ajo edhe në sonetet e ciklit “Kanali”,  është njëra nga nyjat ku lidhen kuptimet poetike dhe efektet eufonike e ritmike. Arshi Pipa e zotëron aftësinë e krijimit të rimave që të shprehin nuanca të ligjërimit poetik të tij dhe të mesazheve që i adreëson lexuesit. Është interesant se në sonetet e ciklit “Kanali”, Arshi Pipa krijon një model të kombinimit të rimave, i cili nuk është koncvencional. Natyrisht është fjala për kombinimet  e rimave në katrena. Poeti Arshi Pipa, në shumicën e soneteve  të ciklit Kanali, në katrena përdor skemën e rimave: abba/baab. Këtë skemë e përdor  në njëzet sonete, ndërsa skemën: abba/abba në katër sonete. Prandaj, Arshi Pipa në fakt paraqitet si një risimtar në këtë plan, veçmas në kombinimin e rimave në katrena.

Kombinimi i rimave sipas skemës:abba/baab, në vargjet e Pipës krijon edhe një lidhje shtesë të rimave, me çka lidhjet tërësore eufonike dhe kuptimore të vargut bëhen më komplekse.

Sa u takon rimave në terceta, ato janë në kombinime të ndryshme:

ccd/eed ( në dhjetë sonete),

cdd/cee (në pesë sonete),

ccd/eed (në tri sonete),

cdd/cee (në dy sonete)

cdd/ece, cdc/ede, edc/cde, ced/eed (në nga një sonet).

Në pozicionin e fjalëve të rimuara më së shumti janë vënë fjalë që shprehin gjendje të njeriut dhe disponime të tij, në vorbullën e vuajtjeve e të torturave, nën të cilat gjendet, qoftë subjekti krijues, qoftë dhe personat e tjerë, bashkëvuajtësit e poetit. Pra, Arshi Pipa më së shumti i ka kushtuar vëmendjen e vet krijuese theksimit të gjendjeve e situatave në të cilat është gjendur ai dhe bashkëvuajtësit e tij, e më pak theksimit të emërtimeve. Si ilustrim mund të shihet soneti i parë i ciklit “Kanali” ( i cituar më herët), ku në pozicion rimash janë fjalët: shiu/shtroje/mbuloje/njeriu/ (gjak për) goje/ arxhiu/ i piu/ (Hin nji) roje/ (frin) biblibi/(pran) secili/ (me) fjetë/ (e fshan) baraka/ brraka/ (vorr i ) shkretë. Kështu, është tematizuar gjendja e mjerë e të burgosurve, të cilët i rrah shiu edhe në barrakë, ndërsa ata janë të sëmurë, ndokujt madje i rrjedh gjak për goje. Për më tepër, ata janë të uritur e të etur dhe zihen për një pikë ujë. Pastaj skicohet situata kur fillon dhuna e rojeve ndaj të burgosurve, më tutje gjendja  e qetësisë së dhunshme dhe në fund një përgjasim i situatës me atë të një varri të shkretë. Pra, Arshi Pipa edhe në përdorimin e rimave dhe në komnbinimet e tyre, aspiron që të dëshmojë gjendjet dhe situatat dramatike të njeriut të goditur nga vuajtja e nga dhuna. Ky koncepcion krijues ndiqet edhe në rastet kur dominon rima-emër edhe në ato kur dominon rima-folje. Edhe nga kjo anë provohet uniteti i poezisë së Pipës, si një krijim që ka në themel informatën, komunikimin sa më të plotë dhe sa më dëshmues.

Bartjet janë në funksion të ruajtjes së rimës dhe të shtrirjes së ligjërimit poetik në një gjerësi më të madhe, kur këtë e kërkon nevoja e informatës poetike. Për ndryshim prej ndonjë autori tjetër, si Ndre Mjedja, ku bartjet janë procedura poetike që e pasurojnë kompleksitetin e shprehjes dhe të figuracionit poetik, në rastin e Pipës, ato janë vetëm domosdoshëmri, për ta realizuar komunikimin, pa e prishur konvencën e formës poetike. Bartjet gjithsesi fusin një dinamikë shtesë në ritmin e poezisë, duke bërë ndërrimin e skemave të theksave ritmikë në varg, duke e pasuruar nuancimin e poezisë me sintaksën poetike dhe duke i dhënë vargut ndjesinë e aktivizmit estetik.

(Fragment nga studimi “Soneti në poezinë shqipe. Fusnotat u hoqën për këtë rast). /Albspirit/transmeton/www.QendraPress.com/