Arsimi pa edukatë është sëmundje, kurse edukata pa arsim është e verbër.Shkruan; Naim Kurtishi ,pedagog Tetovë
Në një anekdotë thuhet se, shumë kohë më parë filozofët dhe dijetarët kishin debatuar se cila ishte më e vlefshme – edukata edhe arsimi, apo vetëm arsimi. Filozofët e kishin përfaqësuar dhe mbrojtur rëndësinë e arsimit, kurse dijetarët rëndësinë e edukimit. Krejt natën e parë ata e kishin kaluar duke diskutuar. Në natën e dytë filozofët i kishin sjellë macet për tu treguar atyre se si është e mundur që edhe macet të trajnohen. Në fakt, ata i kishin mësuar macet që tu shpërndajnë njerëzve me gota çaji. Kur macet e kryen punën e tyre, u duk se filozofët gati e kishin fituar debatin. Mirëpo, në natën e tretë, dijetarët kishin sjellë minj në xhepa. Dhe, në momentin kur macet po fillonin përsëri t’i shpërndanin gotat e çajit, dijetarët i kishin lëshuar minjtë nga xhepat e tyre. Kur macet i panë ata, i hodhën gotat dhe vrapuan pas minjve. Kështu filozofët e humbën debatin. Dijetarët deshën të thonin në këtë mënyrë, se njeriu, sado që të jetë i arsimuar, pa edukatë do të jetë si ato macet. Njerëzit, kur të shohin një fitim, nuk i zgjedhin mjetet për ta arritur qëllimin. Kjo sot është shumë e dukshme në këtë ‘shoqërinë moderne, të civilizuar dhe të paedukuar. Përfundim: Arsimi pa edukatë është sëmundje, kurse edukata pa arsim është e verbër. Më së miri është kur përfaqësohen të dyjat. Megjithatë, edukimi është themeli, kurse pa themel, nuk ka as ndërtesë ! Respekt ! /www.qendrapress.com/