“As Millosheviqi me ushtrinë e tij nuk ka mujtë me na ndalë fjalën”, Hisen Berisha flet sërish pas përplasjes me Haxhiun
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, pati një përplasje me pozitën meqë përmendi rastin Dehari.Reagimi më i ashpër i erdhi nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila gjatë kundërshtimit përmendi edhe “duart me gjak”.Për këtë, Berisha tha se pretendimi i saj se “Hisen Berisha i ka duart me gjak tregon dëshpërimin e ministres Haxhiu, e cila po bën e thotë gjëra të dëshpëruara”.“Po ministresh, i kam vërtetë duart me gjak. Por, ti tregoju shqiptarëve cilin nga këto viktimat e mia, ke marrë urdhër me i mbrojtë, apo të gjithë? Si institucionalist, i ndërtuar mbi patriotizmin shtetëror e kushtetues, njeri i ligjit e diciplinës ushtarake, luftëtar për liri, drejtësi e demokraci, u impenjova sinqerisht ta shfaq shqetësimin qytetarë për të vendosur drejtësi për vëllezërit Dehari, Arbenin e Monin, si dhe të gjitha vrasjet enigmë të pas luftës. Por, më befasoi për keq reagimi tejet indikativ, reagimi aq i ashpër ndaj interesimit tim, i ministres znj. Albulena Haxhiu”.“Kjo po më çon në dilemën a mos vallë kjo ka gisht në të gjitha dhe a ka gisht në mbylljen e rastit terrorist në gjykatë?! Sepse dihet se këto raste nuk kanë epilog aq të shpejtë. Sjellja histerike e ministres, tregon se diku po ju dhemb e vërteta!?”.Berisha thotë se situata që u krijua në Kuvend, për të cilën tha se u krijua nga “preokupimi i sinqertë” i tij nga respekti për prindërit e dy djemve Dehari.“Qoftë baba Avni i heshtur në kuvend, qoftë nana Xhemile, në studiot e pamëshirshme televizive, më befasoi për keq, me reagimet dhe fjalët e pa matura e të rrezikshme për ligjshmërinë dhe demokracinë. Deklarimet e sotme dhe ato të më hershme si dhe veprimet në raport me procesin e hetimit, prokurorinë dhe fjalën e lirë në Kuvendin e Republikës, ma përforcojnë vlerësimin tim se “neokomunizmi që po provojnë të instalojnë kjo nomenklaturë debatikasish, është rrezik më i lartë se mundësia e një sulmi nga Serbia””.Berisha po ashtu komentoi edhe deklaratën e ministres Haxhiu që PDK-së duhet t’i ndalohet me ligj që të flasin për rastin Dehari. “Deklarimi i ministres së drejtësisë se, “duhet me au ndalu me ligj me fol për vëllezërit Dehari këtu” tregon se çfarë synojnë këta. Pra, u pa që synojnë me ua mbyll gojën qytetarëve edhe deputetëve, të kërkojnë zbardhjen e të vërtetës dhe të vendoset drejtësi. Njëjtë kështu reagoi kjo ministre e dyshimtë, edhe ndaj prokurorit, duke i thënë: “hek dorë sa është herët”! Dua ta bëj të ditur se Hisen Berishës, nuk ka mujt as Millosheviqi me ushtrinë e tij nën udhëheqjen e pesë Gjeneralëve, t’ia ndal gojën, as fjalën, e s’do të mundet askush, as ju që as historinë e Kosovës nuk e dini, e përzieni me atë të Serbisë”.