Asnjëherë Drejtoria e Shërbimeve Publike në terren nuk ka qenë pa kryer punë në mbi 100 projekte

Në Komunën e Prizrenit janë realizuar një varg punësh e projektesh të rëndësishme. Secila nga drejtoritë komunale ka dhënë kontributin e vet, por në veçanti spikat Drejtoria e Shërbimeve Publike, e udhëhequr në këtë mandat katërvjeçar nga arkitekti Çelë Lamaj. Ai, bashkë me ekipin e tij, nuk e kanë ndalur asnjëherë punën në terren. Jo rrallë media të ndryshme kanë raportuar se Prizreni është shndërruar në një kantier ndërtimi. Këtë e ka theksuar disa herë edhe vetë drejtori Lamaj, duke thënë: “Gati asnjëherë nuk kemi qenë në terren pa punuar, me së paku 100 projekte të ndryshme në tërë komunën.” Kjo tashmë shihet në çdo kënd të Prizrenit. Vetë Lamaj nuk e merr meritën për vete, por e atribuon suksesin vizionit të kryetarit Shaqir Totaj dhe angazhimit të ekipit të drejtorisë së tij, të cilët nuk janë ndalur së punuari. Kështu, kjo drejtori u bë udhërrëfyes i punëve të kryera dhe të mira në qytet. Motiv për këtë shkrim ishte edhe deklarata e një çifti të ri prizrenas, Ardiana dhe Agim Bytyçi, që jetojnë e punojnë në Suedi. Ata, së bashku me vajzën e tyre të vogël Vlora, shprehën se ndryshimet që kanë parë në Prizren gjatë dy viteve të fundit u ngjajnë atyre të qytetit ku banojnë jashtë vendit. Sidomos iu ka bërë përshtypje rregullimi i Shadërvanit, gjelbërimi i vendosur përgjatë rrugës unazore dhe rikthimi i kalldrëmit në disa pjesë të qytetit. Pas kësaj, biseda jonë u zgjerua edhe për shumë punë të tjera që janë realizuar në Prizren. /QendraPress/