“Autonomi për serbët në veri”, artikulli i “Fox News” që nxiti reagime – Qeveria hedh poshtë pretendimet
Një propozim i ri evropian për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për ‘Rrugën drejt Normalizimit’ tashmë është në tavolinën e Kosovës dhe Serbisë.
Ajo çka i është kërkuar Kosovës me urgjencë, ka qenë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Megjithatë, përmbajtja e cila u është dorëzuar palëve vazhdon të jetë sekret.
E lidhur me themelimin e këtij Asociacioni, gjatë ditës së djeshme (e diel), ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një postim në Facebook, shpërndau artikullin e mediumit amerikan “Fox News”, ku thuhet se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe Serbi kërkoi njohjen ‘de facto’ dhe autonomi për serbët.
Referuar këtij artikulli, Hoti ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti që të sqarojnë nëse kjo është e vërtetë apo jo.
“Ja për çfarë janë pajtuar Kurti-Osmani në fillim të këtij viti. Nëse nuk është e vërtetë kjo që ka thënë znj. Ursula von der Leyen, Kryeministri dhe Presidentja duhet ta demantojnë menjëherë”, shkroi Hoti.
Por një gjë të tillë e mohuan nga Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie.
“Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës”, ka thënë Kryeziu në RTK.
Ai ka thënë se është e paqartë nëse lajmi në mediumin amerikan i referohet një citati të drejtpërdrejt të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen apo është interpretim i vet mediumit mbi deklarata të presidentes Leyen.“Ajo çka duam ne të theksojmë është se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës, aty ku do të anëtarësohet Republika jonë; por asnjëherë autonomi, defunksionalizim, fragmentim, apo çkado tjetër që nuk e lejon Kushtetuta e Republikës?, ka thënë Kryeziu.
Por çfarë thotë artikulli i mediumit “Fox News”?
Ambiciet e Serbisë dhe Kosovës për t’iu bashkuar BE-së mund të jenë në rrezik serioz nëse dy rivalët historikë refuzojnë të normalizojnë marrëdhëniet.
Kështu nis artikulli i mediumit amerikan “Fox News”, i cili tutje vazhdon duke thënë se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen tha se Serbia duhet ta njohë de facto Kosovën dhe Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët etnikë në veri të Kosovës.
“Deklaratat e një përfaqësuesi kaq të lartë politik kanë peshë, megjithatë, ne duhet të shohim ende nëse ato do të bëjnë një ndryshim,”.
Kështu deklaroi për Fox News, Digital Helena Ivanov, bashkëpunëtore në Shoqërinë Henry Jackson.“Deri më tani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka qenë shumë i qartë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk është në të vërtetë në tryezë dhe Serbia e kishte të qartë se anëtarësimi në OKB për Kosovën është një vijë e kuqe. Si planifikon saktësisht BE-ja t’u bëjë presion të dyve mbetet e paqartë që palët të kalojnë linjat e tyre përkatëse”, shtoi Ivanov. /Telegrafi/