AUV: Therja e kurbaneve të bëhet vetëm në thertore të licencuara, ndryshe do të ndëshkohen
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje që therja e kurbaneve me rastin e festës së Kurban Bajramit, të bëhet vetëm në thertoret e licencuara nga kjo agjenci.
Kjo për shkakun se therja jashtë këtyre objekteve jo vetëm që përbën shkelje ligjore, ajo rrezikon edhe shëndetin e përgjithshëm publik.
Po ashtu nëse therjet kryhen në vendet jo të lartcekura, AUV thotë se ata do të ndëshkohen.
“Të nderuar qytetarë të besimit islam me rastin e festës se ‘’Kurban Bajrami’’ e cila festohet me datë 16 Qershore e diele ju apelojmë qe therjen e kurbaneve ta bëni vetëm në thertoret e licencuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë”, thuhet në komunikatën e AUV-it.
“Therja jashtë këtyre objekteve, përveçse se përbën shkelje ligjore ajo rrezikon shëndetin e përgjithshëm publik. Tani qe po mbretërojnë temperatura të larta, rrisin rrezikun e kontaminimit të produkteve qe i ekspozohen të nxehtit. Objektet e thertoreve përveç se janë nën mbikëqyrje kontrolli, ku secila kafshë i nënshtrohet inspektimit para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes, ato posedojnë frigoriferë, kushte teknike sanitare dhe higjienike”.
“Në transport të përdorin mjete adekuate duke respektuar kushtet për mirëqenie të kafshëve. Tregtimet të bëhen në tregjet e autorizuara ose blerjet direkte nga ferma, tregtimet në hapësira tjera do të pengohen dhe ndëshkohen”.
Në të gjithë vendin janë mbi 50 objekte të aprovuara për therjen e kafshëve, të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e qytetareve.
“Duhet secili ta ndjejmë si obligim qe mos të krijojmë imazhe të prerjes-therjes së kafshëve në hapësira publike, në mënyrë jo humane dhe në kushte jo higjienike”.