Avokati amerikan i ish-presidentit: Thaçi do të shpallet i pafajshëm

                   Avokati Pierre Richard Prosper është shprehur i bindur se ish-presidenti Hashim Thaçi do të shpallet i pafajshëm nga Gjykata Speciale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Prosper, i cili është aokat i ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, deklaroi se zgjerimi i aktakuzave që u bë në prill të këtij viti nuk e ndryshon lëndën.“Ne e kemi shikuar këtë dhe nga perspektiva jonë, lënda nuk ndryshon, ne kemi besim në dëshmitë që i posedojmë, besojmë se kur gjykimi në fakt zhvillohet dhe e vërteta del në shesh se Thaçi dhe të tjerët, unë mund të flas për Thaçin, do të shpallet i pafajshëm. Prokuroria po shton gjëra, duke u munduar ta forcojë aktakuzën, por ne besojmë se jemi në pozicion të mirë” tha Prosper në Klan Kosova. Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është ende gati, prandaj po shton akuza të reja duke u munduar që ta forcoj lëndën, derisa shtoi se nuk pret që aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve të zgjerohet përsëri nga prokuroria.“Unë nuk pres akuza të reja dhe nëse prokuroria ndien se ka nevojë të vazhdojë t’i modifikojë aktakuzat atëherë kjo lëndë nuk duhet të jetë këtu. E kam thënë këtë në gjyq në vitin e kaluar në një nga konferencat statusore, bëra një pyetje fondamentale: Përse jemi këtu nëse prokuroria nuk është gati? Nëse prokuroria do të kishte qenë gati, ne do të kishim përparuar dhe do të ishim në pozitën që të shkojmë në gjykim dhe ky është një problem fondamental. Ne kemi individë që po mbahen për dy vjet pa e parë asnjë ditë në gjykatë, kjo nuk është e drejtë. Ajo që duam është mundësia të vazhdojmë, duam mundësinë që e vërteta të dalë në pah dhe kur e vërteta të dalë, do ta shohim se ky rast nuk duhet të ishte në këtë gjykatë dhe se zotëri Thaçi është i pafajshëm dhe do të shpallet i pafajshëm për këto akuza” tha Prosper.Ai është ankuar se po ka shumë vonesa gjatë procesit, duke shtuar se informatat shfajësuese nuk po zbulohen.“Çdo ditë që kalon, besimi që ky është një proces efikas zhduket, sepse ne kemi pengesa në çdo hap, neve nuk na i japin të gjitha informatat që na duhen, informatat shfajësuese nuk zbulohen dhe ka shumë vonesa kur na është thënë se prokuroria ishte gati. Pra ne, siç mund ta imagjinoni, jemi të frustruar nga ky proces dhe besojmë se është e rëndësishme që njerëzit të fillojnë të shohin se çfarë po ndodh këtu, sepse nga pikëpamja jonë, nga pikëpamja ime, kjo ka filluar ta humbë kredibilitetin” deklaroi Prosper./Reporteri.net