Bashkësia Islame e Kosovës deklarohet për luftën në Ukrainë

                            Bashkësia Islame e Kosovës është deklaruar lidhur me luftën në Ukrainë, duke bërë thirrje që kjo situatë të zgjidhet me mjete politike dhe paqësore, përcjell Reporteri.net.Në një deklaratë, ne rrjetin social në Facebook, Myftiu Naim Tërnava, bën thirrje që të shmanget gjakderdhja, shkatërrimet e trazirat, si dhe t’i thuhet fuqishëm “Jo” luftës.“Lutem dhe apeloj tek të gjithë faktorët ndërkombëtarë, që para luftës e gjakderdhjes të zgjedhin paqen, para konfliktit të zgjedhin mirëkuptimin e tolerancën, para vuajtjeve e shkatërrimit të zgjedhin qetësinë e stabilitetin”, shton Tërnava

Postimi i plotë:

Me vëmendje e shqetësim kam përcjellë eskalimin e situatës në Ukrainë. Makthin dhe terrorin që po e përjeton populli i Ukrainës nën kërcënimin e makinerisë ushtarake ruse, është ogur i zi që paralajmëron ditë të rënda për njerëzimin, para së gjithash për qytetarët e paarmatosur ukrainas.Pamjet e granatimeve të qyteteve e të vendbanimeve me popullatë civile, radhët e gjata të qytetarëve duke u larguar nga shtëpitë dhe vatrat e tyre, si dhe viktimat e pafajshme në radhët e civilëve, për ne janë të papranueshme, ngase vetëm para dy dekadash, kemi kaluar nëpër një situatë të tillë.Lutem dhe apeloj tek të gjithë faktorët ndërkombëtarë, që para luftës e gjakderdhjes të zgjedhin paqen, para konfliktit të zgjedhin mirëkuptimin e tolerancën, para vuajtjeve e shkatërrimit të zgjedhin qetësinë e stabilitetin.Lusim Zotin që situata e tanishme në Ukrainë të zgjidhet me mjetet politike e paqësore dhe bota e njerëzimi të jenë më të qetë e më të sigurt.Paqe e qetësi për popullin e Ukrainës, të shmangin gjakderdhjen, shkatërrimet dhe trazirat, t’i themi fuqishëm JO luftës.

Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava