BE i bën presion COVAX-it për sjelljen e vaksinave në Kosovë gjatë marsit
Kosova pritet të marrë vaksinat e para nga program COVAX gjatë muajit mars, transmeton Insajderi.Ekspertët në Bruksel të cilët merren më çështjen e vaksinimit në BE thonë se “është një proces shumë i komplikuar me shumë hollësi që duhet sqaruar” dhe se “kur mungon edhe besimi i plotë te prodhuesit atëherë problemi bëhet edhe më i komplikuar”.Siç raporton Koha nga burimet e saj në Bashkimin Evropian, ka pasur rrezik që vaksinat të vonohen për Kosovën deri në muajin maj.“Kjo nuk është rezultat i neglizhencës apo mungesës së vullnetit nga BE-ja sa është rezultat i rrethanave dhe mungesës së bashkëpunimit të duhur nga ana e prodhuesve të vaksinave”, ka thënë një diplomat i BE-së.Por në BE tërheqin vërejtjen që të mos harrohet dhe ndahet kontributi i BE-së nga programi COVAX, sepse pikërisht BE-ja është edhe donatorja më e madhe në këtë program me më shumë se 2 miliardë euro.Edhe brenda BE-së ka një dallim të madh mes shteteve anëtare në procesin e vaksinimit, si dhe në numrin e dozave që shtetet i kanë marrë deri me tash. Kjo ka nxitur edhe kritika dhe akuza për “tregti nën tavolinë” mes disa shteteve anëtare dhe prodhuesve të vaksinave.Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka shprehur publikisht këto dyshime duke përmendur se “Holanda për kokë banori ka marrë dy herë më shumë vaksina sesa Kroacia, ndërsa Malta tri herë më shumë se Bullgaria”.BE-ja ka bërë kontrata në emër të të gjitha shteteve anëtare, por secili shtet ka zgjedhur vetë se sa vaksina do të porosisë nga cili prodhues. Ato shtete të cilat kanë porositur më shumë doza nga “Pfizer” dhe “Moderna”, të cilat edhe janë aprovuar të parat për përdorim, kanë marrë më shumë. Ndërsa ato që kanë porositur më shumë “AstraZenneca”, të cilat janë aprovuar më vonë dhe prodhuesi ka zvogëluar për më shumë se gjysmën distribuimin e tyre, kanë marrë më pak.Sa u përket Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, në BE thonë se nuk kanë asnjë pengesë që në mënyrë individuale të bëjnë kontrata dhe të sigurojnë vetë vaksinat.Burimet e BE-së kanë rikujtuar se, si masë për të detyruar prodhuesit e vaksinave që të respektojnë obligimet ndaj Bashkimit Evropian, kanë vendosur edhe mekanizmat e ndalimit të eksportit të vaksinave.