BE-ja jep detaje për vizitën e Kurtit në Bruksel
Nga BE-ja kanë konfirmuar se nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiq në Bruksel gjatë javës së ardhshme. Të dy do të zhvillojnë takime ndaras atje. Kjo do të jetë edhe vizita e parë jashtë shtetit e Albin Kurtit që nga marrja e detyrës si shef i Qeverisë. Se s’do të ketë takim Kurti-Vuçiq në kryqytetin e dialogut e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu. Ai kishte treguar se Kurti do të udhëtojë kah mesi i javës së ardhshme në Bruksel dhe pritet t’i takojë udhëheqësit e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian.Kryeministri Kurti do të qëndrojë në kryeqytetin e Belgjikës dy ditë, por që nga qeveria nuk kanë bërë të ditur ende agjendën e takimeve.Zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Përparim Kryeziua ka thënë se vizita e shefit të tij është në shërbim të marrëdhënieve bilaterale me BE-në.“Vizita dyditore në Bruksel gjatë mesit të javës së ardhshme është vizitë zyrtare e kryeministrit Kurti gjatë të cilës ai do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Vizita në Bruksel është në shërbim të marrëdhënieve tona bilaterale me Bashkimin Evropian”, tha Kryeziu të premten, duke shtuar se në lidhje me agjendën e takimeve do të ju njoftojmë shumë shpejt.Zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier në një përgjigje për Express është shprehur se nuk është planifikuar takim mes palëve javën e ardhshme në Bruksel.“Sa i përket Dialogut, puna vazhdon, megjithatë asnjë takim nuk është planifikuar për javën e ardhshme dhe ne do të njoftojmë për një takim të tillë kur është e përshtatshme”, ka thënë ajo.Presidenti serb, Aleksander Vuçiq prite të udhëtojë nesër për në Bruksel, teksa ka deklaruar sot se pret që dialogu me Kosovën të vazhdojë në maj.Takimet e udhëheqësve kryesorë të BE-së me Kurti dhe Vuçiqin javën që vjen pritet që të bindin palët për një raund të ri të dialogut.Takimi i fundit i niveli të lartë politik me Kosovës dhe Serbisë ka qenë në shtatorin e kaluar kur ish-kryeministri, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb Aleksander Vuçiq.Ndërkaq, kryediplomati gjerman, Heiko Maas gjatë vizitës së djeshme në Prishtinë u shpreh se njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë njëra nga elementet në dialog, por që palët duhet të jenë të gatshme për kompromis.“Sa i përket dialogut, natyrisht që njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes përndryshe nuk do të realizohet dhe përtej kësaj nga të dy anët kjo është normale në dialogjet për normalizim ku edhe ka kompromise dhe nuk dua të tërheq linja të kuqe mirëpo e di që përshkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë, unë dëshiroj që në fund të procesit të gjejmë zgjidhje dhe dy palët duhet të gjejnë gatishmëri për kompromise”, tha Maas