BE-ja kthen mbrapsht domaten shqiptare, çmimi për kg në Shqipëri bie deri në 18 cent

Në të gjithë Shqipërinë është bllokuar tregtimi i domates nga serat. Brenda 10 ditëve, çmimi nga 100 lekë (90 euro cent) për kg ka pësuar rënie deri në 20 lekë (18 euro cent) për kg.

Gëzim Bezhi nga Çerma e Divjakës, është një ndër prodhuesit e mëdhenj të domateve të serave dhe tregtimit të tyre.

Uljen e menjëhershme të çmimit ai e lidh me kthimin e ngarkesave që ishin destinuar për eksport.

Sipas tij, dy javë më parë, vendet e Bashkimit Evropian kanë kthyer mbrapsht domaten shqiptare si një produkt që nuk përmbush parametrat ushqimore.

Ndonëse prodhuesit e Divjakës janë konkurrente në rajon, si me cilësinë ashtu edhe me hershmërinë e perimeve, këtë sezon ka ndodhur e kundërta.

Kjo ka sjellë uljen e çmimeve dhe shitjen e prodhimit me çmime nën kosto.

Prodhuesit thonë se domatja me çmimin nën nivelin e 50 lekëve (45 cent) për kilogram nuk justifikon asnjë lloj shpenzimi.

Gëzim Bezhi i cili tregton edhe fidanë apo plehra kimike e shikon uljen e çmimit të domates si një faktor negativ edhe për zinxhirin e ardhshëm prodhues.

Ai thotë se në këto kushte është bllokuar edhe shitja e fidanëve.

Ndonëse në Shqipëri, fermerët kultivojnë varietet me të mira të domates, prodhimi nuk i ka shpëtuar ndëshkimit të disa abuzuesve.

“Ndërhyrja shtetërore në politikat eksportuese dhe skemat mbështetëse në bujqësi janë mënyra e vetme e shpëtimit të fermerit prodhues”, sipas eksportuesve./RTSH /