BE kërkon themelimin e Asociacionit, Qeveria i përgjigjet: Nuk do të ketë Asociacion një-etnik
Bashkimi Evropian është duke pritur propozime të Kosovës për ta themeluar Asociacionin e Komunave Serbe. Nga kryeqendra evropiane thonë se implementimin e marrëveshjes së 2013-ës, Kosova e ka detyrim ndërkombëtar.Ndërkohë, zgjidhjen për themelimin e asociacionit, Qeveria Kurti thotë se do ta ketë në Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, derisa theksojnë se asociacion një-etnik të komunave s’do të ketë. Mundësitë e rihapjes së kësaj teme, po i sheh të rrezikshme Partia Demokratike e Kosovës. Derisa nga shoqëria civile i japin mbështetje ekzekutivit për themelimin e asociacionit, por vetëm mbi bazën e Kushtetutës së vendit. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano thotë për KosovaPress, se marrëveshja e vitit 2013, për asociacionin është përfunduar me mirëbesim dhe se i mbetet Kosovës të propozojë një rrugë përpara për zbatimin e saj. “Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave Serbe. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është anuluar. Në fakt, marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi me shumicën e 2/3. Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje. Kosovës i mbetet të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar marrëveshjen”, thotë ai përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress. Por zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu thotë se qëndrimi i ekzekutivit në këtë temë është i qartë dhe se nuk do të ketë diçka që do ta defunksionalizojë vendit.“Ju e dini, qeveria ka një qëndrim të qartë sa i përket kësaj teme. Iu përkujtoj edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket kësaj teme. Kryeministri Kurti ka thënë se liria e asocimit është liri që garantohet me Kushtetutë, për këtë ka edhe Kushtetutë edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të jetë në shërbim të funksionimit të vendit dhe jo në de funksionalizim të vendit. Prandaj kemi thënë që asociacion një-etnik të komunave nuk mund të ketë”, deklaron Kryeziu.