Bekim BERISHA – ABEJA , emblema e një heroi Shqiptar

Ja pse Liria ka emër, po e rikujtojmë emblemën e heroit shqiptar Bekim Berisha-ABEJA.

                        Me pseudonimin ABE-ja, ai njihet si krijuesi i shkollës së parë ushtarake në Kosovë. U lind në Shkozet-Grabovc të Pejës, më 15 qershor 1966.Shkollën e mesme e kreu në Pejë, ndërsa studimet e larta për inxhinieri mekanike në Kroaci. Është aktivizuar me policinë ndërkombëtare në luftën kundër krimit në Nikaragua, Panama dhe Kolumbi.

U angazhua në ushtrinë amerikane në Luftën e Gjirit Persik, në përbërje të trupave komando në prapavijat e ushtrisë irakene. Gjatë Luftës Serbo-Kroate arriti në detyrën e komandantit të regjimentit të këmbësorisë. Me këtë njësi zhvilloi një sërë luftimesh të suksesshme kundër ushtrisë serbe. Falë aftësive të shkëlqyera drejtuese, e nxjerr regjimentin e tij nga rrethimi i një divizioni serb pa asnjë ushtar të vrarë, qoftë dhe të plagosur. Ky është një rast i rrallë në historinë e ushtrisë kroate. Për këto merita ai u gradua gjeneral. Mori pjesë në fillesat e para të Lidhjes Popullore të Kosovës. Me të filluar Lufta Çlirimtare në Kosovë, në mars 1998 hyn në territorin e saj.

Mbante pseudonimin ABEJA. Krahas veprimtarive të shumta luftarake, në këtë vit ngre shkollën e parë ushtarake shqiptare në Kosovë (Likoshan të Drenicës). Gjatë luftimeve në Rekën e Keqe (mbrojtjen e Junikut), duke u kthyer nga Shqipëria me armatime të shumta për në Drenicë, u vra më 16 gusht 1998 nga ushtria serbe. Me rënien e tij, Parlamenti kroat shpalli tri ditë zie kombëtare, ndërsa ish-sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dik Çenei, ato ditë i propozoi Kongresit Amerikan për një minutë heshtje në nderim të gjeneral Bekim Berishës./www.qendrapress.com/