Bekim Jashari sulmon ashpër Vetëvendosjen: Janë bërë bashkë me PDK-në, heshtën para manipulimeve në zgjedhje
Kandidati për kryetar të Skenderajt , Bekim Jashari, është distancuar sërish nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se nuk ka pasur marrëveshje me ta për zgjedhjet e fundit lokale.Jashari i ka reaguar kryetarit të LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani i përmes një shkrimi në Facebook kërkonte që Skenderaj të shkojë në rivotim, ndërsa këtë Jashari e ka quajtur si deklaratë të porositur që ta identifikojë si afërt me Vetëvendosjen.“Deklaratat e z. Mehani që Skenderaj duhet të shkojë në ri-votim është edhe një deklaratë tjetër e porositur për të na identifikuar si të afërt me VV-në, siç ishte dhe vendimi për mos kandidim të tyre për kryetar të Skenderajt, pasivizimi i tyre në fushatë dhe heshtja e tyre para keqpërdorimeve në ditën e votimit. Kështu me veprimet e tij të ulëta ai iu mundësoj kundërshtarëve tonë politik që gjatë tërë fushatës parazgjedhore të propagandojnë kinse Bekimi është me VV-në, pasi që VV-ja nuk i vuri kundërkandidat”, ka shkruar Jashari.Jashari më tej shkruan se propaganda se ai është me Vetëvendosjen, është përdorur nga PDK-ja në Skenderaj dhe kjo e ka dëmtuar atë, ndërsa e ka akuzuar PDK-në se ka bërë marrëveshje me serbët e Bajës dhe Syriganës, se ka blerë vota dhe ka perdorur ‘trenin bullgar” për të përmbysur rezultatin.“Ata që përveç propagandave të ulët kundër meje, bënë marrëveshje me serbet e Bajës dhe Syriganës, të cilët i votuan me shumicë, ata që blenë votat e qytetarëve me para, kërcënuan e shantazhuan mbështetësit tonë, ata që blenë komisionerët, vëzhguesit si dhe ata që përdoren trenin bullgar për të përmbysur rezultatin”, ka shkruar ai.