Bien çmimet e banesave
Rritja e fortë, në disa vende lindore dhe jugore, u kompensua nga rëniet në shumë shtete veriore të BE-së.
Vitin e kaluar çmimet e banesave në Evropë ranë për herë të parë në një dekadë, pasi rritja e fortë në tregjet e pronave të disa vendeve lindore dhe jugore u maskua nga rëniet në shumë shtete veriore të BE-së.
Çmimet e pronave rezidenciale ranë 0.3 % në BE në vitin 2023 dhe 1.1 % në Eurozonë, sipas të dhënave nga Eurostat, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
Tregu i banesave në Gjermani ishte një nga më të goditurit, me rënie 8.4 % në bazë vjetore, i dyti vetëm pas Luksemburgut, me rënie 9.1 %. Ai u pasua nga Finlanda, me 5.6 % dhe Suedia me 5.3 %.
Megjithatë, çmimet u rritën në disa vende, duke përfshirë Kroacinë, Bullgarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Portugalinë, ku u rritën midis 8 dhe 12 %.
Ekonomistët thanë se rritja më e fortë ekonomike në vendet e Evropës Jugore dhe Lindore, në vitet e fundit, kishte ndihmuar që tregjet e tyre të banesave të vazhdonin të rriteshin, ndërsa vendet kryesore – si Gjermania dhe Franca – kishin vuajtur nga stagnimi ose një rritje e dobët.
Ricardo Amaro nga Oxford Economics, tha se “dinamika e ofertës”, mund të ndihmojë për të shpjeguar performancën e mirë të tregjeve të banesave të disa vendeve, veçanërisht në Evropën Jugore “ku ndërtimet e reja, kanë qenë të dobëta”.
Kroacia ka pasur një fluks investimesh, që nga fillimi i përdorimit të Euros në janar 2023. Tregu i banesave në Portugali, është rritur nga stimujt e taksave, për blerësit e shtëpive të dyta dhe oferta e “vizave të arta” për të huajt e pasur, që blejnë prona, të cilat qeveria po i heq.