Bizneset në Kosovë fillojnë të rekrutojnë punëtorë të huaj
Dilemat për largim të një pjese të punëtorëve nga vendi, nga 1 janar i 2024-s, kur është paraparë të liberalizohen vizat, kanë shtyrë bizneset që të gjejnë alternativa të tjera në mënyrë që të mos mbesin pa staf.
Shumë kompani po merren me procedurat e rekrutimit të punëtorëve nga vendet aziatike si Bangladeshi e Nepali.
“Disa biznese veçse kanë filluar të kontraktojnë edhe punëtorë jashtë vendit, e sidomos pjesa e bizneseve të gastronomisë”, tha për RTK-në Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë për emisionin Ekonomiks se nga janari 2022 deri në qershor të këtij viti, kanë aprovuar 381 viza pune, ndërsa 165 janë refuzuar.
“Më së shumti kërkesa për viza pune në Kosovë janë pranuar nga Bangladeshi, India, Nepali, Egjipti Filipinet, Pakistani dhe Bosnja”, kanë thënë nga MJD.