Bleu marihuanë në Shëngjin për ta shitur në Kosovë, por u arrestua në kufi – ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Sh.G., i cili gjendet në paraburgim, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.G., më datë 02.07.2024, në ora 17:35 në Pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, pa autorizim transporton substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi policia kufitare kishte ndaluar automjetin e markës “AUDI A8”, të cilin ishte duke e drejtuar vëllai i të pandehurit, A.G.
“Gjatë kontrollit të automjetit, saktësisht në ulësen e pasme të tij, policia ka gjetur një qese plastike me ngjyrë të verdhë me substancë narkotike të llojit ‘marihunë’, në peshë të përgjithshme prej 300 gramë (treqind gram), të cilën substancë e kishte blerë i pandehuri në Shëngjin të Republikës së Shqipërisë në shumën prej 500 euro me qëllim që të njëjtën ta vë në qarkullim për shitje brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.