Brenda psikologjisë së Putinit: Një plak që po i frikësohet vdekjes së pashmangshme

                      Vladimir Putin është një njeri në moshë që i frikësohet vdekjes, ndaj përpiqet ta kthejë kohën pas. Për të, Ukraina dhe ukrainasit janë si një flijim i gjakut. Pushtimi i Putinit në Ukrainë është përpjekje për të parandaluar vdekjen e tij personale, të pashmangshme.Çdo ditë e më shumë kur rritemi, vdekja bëhet më e vështirë të injorohet. Teksa vdekja afrohet ngadalë, është e natyrshme të dëshirosh ta kthesh kohën pas. Bëhemi nostalgjikë, pak të hidhëruar me të tashmen. Teksa vdekja afrohet shumë, ne bëjmë veprime të kota për të dëshmuar se jemi ende të rinj. Përpiqemi, pak në mënyrë komike, ta kundërshtojmë të pashmangshmen. Ta shmangim realitetin.Por, një diktator me pushtet të pakufishëm, i cili ka qenë në pushtet për kaq shumë dekada sa që mendon se mund të bëjë gjithçka, që ka vrarë dhe burgosur këdo që ia ka kthyer fjalën, ai lloj diktatori, mendon se mund ta kontrollojë vetë kohën.Putini i frikësohet vdekjes – si çdo 69-vjeçar. Frika e tij, megjithatë, është veçanërisht e mprehtë. Gjatë vizitave, ai detyron (ose të paktën kështu përflitet) zyrtarët të dorëzojnë testin e fekaleve për t’u siguruar që nuk janë të sëmurë. Me fillimin e COVID-19, zyrtarët po ashtu duheshin të izolohen disa ditë para se të takohen me të. Ata që nuk e përfillin këtë masë, si presidenti francez Emmanuel Macron, ulen krejt në skaj të një tavoline të gjatë, aq e gjatë sa duket absurde. A ka krijuar Putin një marrëveshje me imunitetin? Ndoshta. Megjithatë, ai është padyshim i tmerruar dhe ka paranojak kundrejt vdekjes. Trajtimet e tij ekstreme me botoks, që i japin lëkurës së tij një pamje të dyllit të shkrirë, janë një tjetër dëshmi e dëshirës së tij për ta kthyer kohën pas.Ndryshe nga ne të tjerët, ai mund të projektojë frikën e tij në të tjera vende. Si për shembull, në përçarjet e tij të turpshme me Ukrainën, Putin kurrë nuk flet për të ardhmen – ai dëshiron t’i shpëtojë të ardhmes dhe asaj që ajo sjell. Ai “justifikon” pushtimin e tij përmes dëshirës për të rikthyer të kaluarën: ta kthejë Ukrainën në shekullin e 19-të, në Bashkimin Sovjetik, në periudhën e tij të rinisë. Ai po përpiqet në mënyrë të vrazhdë t’ia rikthyejë namin Perandorisë Ruse, për të ndarë krijimin e Leninit të Republikave Sovjetike, për zhbërjen e revolucionit kundër Viktor Yanukovych në 2014. Madje, një thashethem i besueshëm për planin e pushtimit të Putinit është se ai dëshiron të anulojë të gjitha ligjet ukrainase të miratuara që nga revolucioni i vitit 2014. Një lëvizje akoma më e egër por njëkohësisht simbolike është se ai do të përpiqet ta rikthejë presidentin e dikurshëm të Ukrainës, Yanukovych-in në pushtet: thuajse shtatë vitet e fundit të mos kishin ndodhur kurrë. Thuajse ai ende është një 62 vjeçar.Për të shmangur vdekjen dhe për të rimbushur bateritë, këtij tirani të plakur i duhet një sakrificë rinore gjaku—Ukraina. Ukraina është, sigurisht, një ide e vjetër: një ëndërr e realizuar nga ukrainasit nëpër kampet e burgjeve të Perandorisë Ruse dhe ato sovjetike. Por përsëritja më e fundit e pavarësisë është gjithashtu më e gjata: tridhjetë vjet. Një komb akoma i ri.Ndërkohë, kur u takua me Presidentin Macron, Putin citoi një shaka të turpshme përdhunimi, ku bukuroshja e fjetur abuzohet seksualisht. Duke ngatërruar Ukrainën me Bukuroshen e Fjetur, ai e vuri veten në rolin e përdhunuesit: “Të pëlqen apo jo bukuroshja ime, ti do të duhet të durosh gjithçka që unë bëj me ty”. Zgjedhja e përrallës ishte e qëllimshme. Bukuroshja e Fjetur nuk plaket kurrë, edhe pse kështjella përreth saj është e mbushur me ndryshk.Në përgjigjet e tij, presidenti 44-vjeçar ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu drejtua Putinit: “Ukraina është me të vërtetë një bukuri, por nuk është e jotja”. Duke i kundërshtuar fantazitë historike të Putinit, ai u përgjigj se në vend të mësimeve të historisë, Ukraina mendon për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Nëse Kremlini simbolizon vdekje, Ukraina simbolizon gjallëri. Putini me gjasë planifikon ta vrasë atë, duke synuar kështu ta bëjë Ukrainën nusen e tij rinore, të dhunuar, skllave.Imagjino sa e lehtë do kishte qenë për Putinin ta ndërtojë një Rusi që lulëzon, duke marrë parasysh pasuritë natyrore të naftës dhe talentin njerëzor që ka, të ndërtojë një shtet që Ukraina do të donte t’i qëndronte pranë. Mirëpo, në vend të kësaj, ai ndërtoi një shtet që kundërmon erë frike, erë vdekje, dhe vrasje, elemente këto që Ukraina gjithmonë ka provuar t’u shmanget. Shkrimtari sovjetik, Alexander Solzhenitsyn, gjeti dikur një metaforë të përshtatshme për sistemin e Kremlinit në titullin e një prej romaneve të tij: Dhoma e Kancerit (Cancer Ward). Kjo akoma mbetet një metaforë e fuqishme. Kanceri dëshiron të zgjerohet: të përhapet nëpër Evropë dhe më gjerë.Diagnoza e Putinit është në fazën e saj përfundimtare. A thua kë do të vrasë ai? Ukraina ndërkaq po lufton deri në vdekje – dhe po zgjedh të jetojë.

*Autori i këtij teksti, Peter Pomerantsev, është autor i librit “Kjo nuk është propagandë: Aventura në luftën kundër realitetit” dhe profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe London Schol of Economics. Ky shkrim i tij u botua në revistën prestigjioze “TIME”. Përkthimi në shqip u bë nga Rexhep Kameraj për Gazetën Online Reporteri.net. Titulli origjinal i shkrimit në shqip përkthehet “Putini sulmoi Ukrainën në përpjekje për të vonuar vdekjen e tij të pashmangshme”.