Bujqit ankohen se nafta u shtrenjtua para nisjes së sezonit të lavrimit, naftëtarët fajësojnë bursën

Bujqit ankohen se nafta u shtrenjtua para nisjes së sezonit të lavrimit, naftëtarët fajësojnë bursën

Bujqit kanë filluar sezonin e lëvrimit të tokës. Ata po ankohen se vazhdimisht gjatë kësaj periudhe po i përcjell ngritja e çmimeve të derivateve.

Fermeri Valon Vehapi, thotë se çdo vit këtë periudhë po e përcjell e njëjta situatë, derisa theksoi se kostoja e shpenzimeve, si shkak i kësaj, po bëhet e lartë.

“Prej 20 gushtit deri më 20 nëntor çmimet e naftës na ngritin gjithmonë…ka qenë para pak kohe 1.42 cent litra e naftës e sot veç ish 1.53 mbi 10 cent është ngritje“, deklaroi ai.

Vehapi tregon se shpenzimet e makinerisë janë të mëdha.

Nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës kërkojnë që t’u ndihmohet bujqve.

“Kjo lëvizja po ndodhë shpeshherë, ngritja dhe ulja me një masë të caktuare me 2-3 cent , 4-5 cent, por ta kenë parasysh edhe naftëtarët se edhe ata i shfrytëzojnë këto prodhime bujqësore, dhe e kanë bukën prej kësaj toke. Çdokush duhet me u angazhu në maksimum t’i ndihmojmë prodhuesve të bukës”, deklaroi Tahiri Tahiri nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë me furnizim të derivateve të bujqve duhet të gjejë zgjidhje Ministria e Bujqësisë përmes granteve.

“Te ne nafta kushton 1.49 deri 1.55 euro e benzina 1.48 deri 1.52 euro; Në Shqipëri nafta kushton 1.93 euro e benzina 1.91 euro; Në Serbi çmimi i naftës është 1.69 euro, benzina 1.76 euro; Në Mal të Zi, nafta është 1.59 euro, benzina 1.63 euro; Në Maqedoni të Veriut një litër naftë është 1.35 euro kurse benzina 1.42 euro”, tha Berjani.

Berjani e pranon se çmimi i derivateve të naftës për standardin e Kosovës është i lartë, por kur bën një krahasim me rajonin, thotë se derivatet e naftës më të lira janë vetëm në Maqedoni të Veriut. (RTK)