Caktohet super-ekspertizë financiare në rastin e njohur si “Fondi 3%” 
Në seancën e së hënës në rastin e njohur si “Fondi 3%”, sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, është caktuar super-ekspertizë e re financiare nga grupi prej tre ekspertësh.Në këtë rast, Naser Osmani, ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Atdhe Gashi dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit”. Për të akuzuarin Bujar Bukoshi procedura është veçuar.Në këtë seancë, nuk kanë qenë prezent dëshmitarët Nezif Fejza dhe Hafiz Gagica, të cilët jetojnë jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.Prokurori Atdhe Dema i ka propozuar gjykatës që të lexohet procesverbali i marrjes në pyetje të këtyre dy dëshmitarëve, duke shtuar se deklaratat e tyre nuk do të kenë përmbajtje kruciale për këtë çështje.Propozimi i prokurorit Dema është aprovuar nga gjykatësi Adnan Kamberi, i cili i ka konsideruar të lexuara deklaratat e dëshmitarëve Fejza dhe Gagica.Tutje gjykatësi Kamberi, i ka njoftuar se Gjykata e Apelit me aktvendim e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë, që të caktohet grupi i ekspertëve financiar prej tre ekspertësh, duke marrë për bazë të gjitha dokumentet.Mirëpo, më këto udhëzime të Apelit nuk është pajtuar prokurori Dema, pasi që sipas tij ky vendim i Apelit është skandaloz dhe nuk ka as bazë ligjore e as nuk është e logjikshme që të bëhen dy super-ekspertiza.“Është paradoksale të caktohet edhe një grup i ekspertëve, për të vërtetuar gjendjen faktike, sepse e njëjta është vërtetuar një herë”, ka thënë prokurori Dema.Mbrojtësi i të akuzuarit Naser Osmani, avokati Florent Latifaj ka thënë se pajtohet me prokurorin Dema dhe ka propozuar që të caktohen ekspertët e mëparshëm dhe të pajisen me dokumentet që nuk i kanë pasur me herët, ashtu që të plotësojnë ekspertizën e bërë më herët, kjo në mënyrë që sipas tij të mos prolongohet procedura dhe për shkak të ekonomizimit të procedurës.Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Atdhe Gashi, avokati Halit Shalani është pajtuar me avokatin Latifaj, që të caktohet grupi i njëjtë i ekspertëve, për plotësimin e ekspertizës në fjalë ose për caktimin e një ekspertize të re.Lidhur me këtë, prokurori Dema ka deklaruar se pasi që propozimi i Apelit udhëzon për një ekspertizë të re, e pasi që ekspertët e njëjtë kanë dëshmuar lidhur me këtë ekspertizë, nuk do të ishte profesionale as ligjore që grupi i njëjtë të bëjë të njëjtën ekspertizë.Kurse, i pandehuri Naser Osmani ka deklaruar se meqenëse Gjykata e Apelit ka rekomanduar që të bëhet një lloj verifikimi i mandatit të tij, fton që ata që i kanë shënimet të gjejnë se cila ka qenë puna dhe përgjegjësia e tij gjatë mandatit. Më pas, gjyqtari Kamberi ka marrë aktvendim që sipas vendimit të Apelit, të caktohet ekspertiza e përbërë nga tre ekspertë të fushës, në mënyrë që gjykatës t’i mundësojnë dhënien e një gjendje të drejtë faktike. Lidhur me këtë, gjykata do të marrë aktvendim të veçantë jashtë seancës.Seanca e radhës do të caktohet pas përpilimit të ekspertizës.Ndryshe, në nëntor të 2020-ës, Osmani dhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale të shpërdorimit, për çka ishin dënuar me nga 3 vite burgim.Mirëpo, më 15 shtator 2021, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim ku rastin e kishte kthyer në rigjykim.Sipas këtij vendimi të gjykatës së shkallës së dytë, shpallja e aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është bërë sipas aktakuzës së ngritur ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit dhe se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale.Aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar. Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmanit për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së.Sipas PSRK-së, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në Fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.Tutje, PSRK i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë projekt, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro. Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).Po ashtu, prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi- kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154,132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës.