Calmy-Rey: Rugova më ka bërë më së shumti përshtypje – Lajçaku e Borrelli po e mbrojnë Serbinë
Ish-presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, ka thënë se vendi i saj ka qenë i pari që ka avokuar për pavarësinë e Kosovës qysh në vitin 2005.
Në një intervistë për “swissinfo”, Calmy-Ray ka thënë se ka punuar me shumë politikanë të Kosovës, por se ai që i ka bërë më së shumti përshtypje ka qenë ish-presidenti Ibrahim Rugova, raporton Klankosova.tv.
E pyetur në lidhje me raportet e saj me ish-kryeministrin, Hashim Thaçi, ajo tha se ky i fundit e ka ditur gjermanishten mirë dhe kishte njohuri të mëdha për Zvicrën.
“Nuk ia lejoj vetes të bëj gjykime për kundërshtarët e mi politikë. Ai ishte kryeministër i Kosovës dhe kishte njohuri të mëdha për Zvicrën, gjermanishtja e tij zvicerane është gjithashtu shumë e mirë. Figura politike që më bëri më shumë përshtypje në Kosovë ishte presidenti pacifist Ibrahim Rugova, babai i pavarësisë. Nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, më pëlqente të punoja me bashkëbiseduesit në anën e Kosovës në vitet nëntëdhjetë. Funksionoi mirë”, deklaron ish-ministrja e Jashtme, Micheline Calmy-Rey.
Ndër të tjera, ajo flet edhe për procesin negociues mes Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel.
Sipas saj, ndërmjetësi Lajçak dhe shefi i tij, Borrell, vijnë nga vende që nuk e njohin Kosovën dhe se të njëjtit “po e mbrojnë Serbinë”.
“BE-ja po merr përsipër ndërmjetësimin mes Serbisë dhe Kosovës, por personat përgjegjës, si Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak dhe shefi i politikës së jashtme Josep Borrell, vijnë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”.
“Ndërmjetësuesit e BE-së po zhvillojnë një politikë që, pjesërisht, mbron ose ruan Serbinë. Albin Kurtit po i kërkohet që t’u jepet më shumë autonomi komunave serbe. Megjithatë, kushti për këtë do të duhej të ishte njohja e Kosovës nga Serbia. Por presidenti serb thotë se nuk do ta bëjë kurrë këtë. Ky është problemi me Kosovën”, u shpreh mes tjerash ish-presidentja zvicerane.