ÇAMËRIA, KJO TOKË E PREMTUAR- Nga Eli ZENELI
Sa herë më ka tunduar ky emër i bukur i trungut të lashtë ilirian? Sa herë e kam dëgjuar dhe sa herë e kam lexuar dhimbjen dhe tragjedinë e saj nëpër faqe të historisë. Një dhimbje që nuk fashitet, por që sa vjen e shtohet, që sa vjen e rritet dhe që troket në ndërgjegjen tonë. Është historia e saj, është tragjedia e saj, që e bën të tillë: të dhembshur, tragjike, të mistershme dhe heroike njëkohësisht.
Ishte fati i saj që është edhe fati ynë. Dikur në të jetohej shqip, flitej shqip, këndohej shqip, dashurohej shqip. Me ata burra të mëdhenj si kreshnikët e Jutbinës, me ato gra të bukura sikur shtojzovallet e mitologjisë.
Por sot si është ajo? * Diku prapa maleve, atje është ajo. Atje rri e heshtur, atje rri e mërzitur me një shami të zezë mbi krye, si një nënë kërcure që djemtë e kanë braktisur, por që pret kthimin e tyre. Pret që t’ i kthehen ata përsëri, që t’ ia prekin ballin e saj që i djeg dhe t’ia flladitin zemrën e saj të zhuritur. Ajo sikur i ruan ende pamjet e trishta të largimit të çamëve nga tokat e veta. Greku me pushkë e me bajoneta tek ia therrte djemtë dhe bijat e saj dhe kësula e bardhë përpëlasej e përgjakur përtokë.
Aty vdekja kishte marrë pushtetin e saj dhe jetë nuk kishte më aty. Marrin ca plaçka në shpinë dhe foshnjat në gji dhe ikin si muhaxhirë për të gjetur një strehë, për të gjetur shpëtim. Pa bukë, pa kripë, pa shpi, pa katandi. E ku do ta gjejnë atë strehë, ku do ta gjejnë atë shpëtim përveç se te nëna e saj? Te Nëna Shqipëri, e cila edhe pse vet me ethe dhe njëmijë plagë në trup, i merr në gjirin e saj bijtë dhe bijat e veta dhe sikur u thotë – Ejani, ju pastë nëna!
E kolonat e gjata të shpërnguljes, pafundësisht të gjata, nën krismat e maliherëve bashkë me vajin e nënave e fëmijëve, ikin nëpër plumba dhe kapërcejnë malin të lodhur, të kapitur, të plagosur, të përgjakur. Dikush ka mbetur atje mbi dhe i pavarrosur, dikush jep shpirt rrugës për një pikë ujë. Nëpër plumba, nëpër zjarr, ku ullishtat gjëmojnë dhe Joni me dallgët e veta rënkon trishtueshëm, ikin si pa kry duke e lënë në gjak e lotë dhe ikin për në veri ku ua “tregojnë drejtimin plumbat” siç do të shkruante më vonë biri i saj, poeti Bilal Xhaferi.
Atje mbeten kujtimet, mbeten varret, mbeten shtëpitë, mbeten oborret dhe rrugët e fshatrave e qyteteve, që sikur thërrasin me britma dhe fuqi deri në kupë të qiellit: Ku po shkoni dhe ku po na lini neve? Përse po na lini vetë?
E Evropa hileçare as nuk dëgjoi, apo dëgjoi dhe mbylli sytë përpara këtyre skenave të atij shekulli që ishte më tragjiku për shqiptarët. Më mirë s’ ishte as Kosova, as Presheva, as Ulqini, as Shkupi, as Tetova, as Struga, as Kumanova. Më shumë se gjysma e tokave të atdheut ishin prerë si me thikë.
* Po sot cili është fati i Çamërisë? Derisa Kosova martire u çlirua nga fallanga serbe, Çamëria martire, që priste radhën e saj, sikur rri e pret e harruar. Apo përveç ndonjë kënge në pentagramin muzikor të Enkeleda Arifit, që thërret: Çamëriiiiiii! politika shqiptare vazhdon të grindet për interesa meskine, duke mos u marrë me Çamërinë.
Dhe kur askush s’ merret, kush do të merret atëherë me të? Ca shoqata të vetquajtura çame , apo ca partiçka politike krejtësisht minore dhe të humbura,të cilat pothuajse janë vetëm sa për të qenë në letër të bardhë, tjetër asgjë s’ ka për të. Sepse me të formuar të tyre në fillim u ranë shumë daulleve të tyre me fjalët stereotipe: do të bëjmë, do të bëjmë…Çamëriiiii, Çamëriiiii e në fund asgjë, sepse të gjitha i mori era, që në nisje.
Çamëria dhe çështja e saj nuk guxon të mbetet në heshtje, siç e ka mbajtur në heshtje epoka e diktaturës dhe siç po e mbanë në heshtje edhe epoka e demokarcisë . Jo, kjo nuk guxon të ndodhë më! Duhet një zgjim i madh nga kjo përgjumje e madhe shekullore. Çështja e saj duhet të aktualizohet dhe duhet të bëhen të gjithë hapat, që mund të bëhen sot me mjete demokratike, që ajo të jetë sërish një agjendë e re për zgjdhje paqësore të këtij trualli të moçëm shqiptar në Evropë.
Sepse atje pret Epiri i lashtë, pret Filati, pret Igumenica, pret Janina, pret Konica, pret Arta. Presin ato gryka malesh, “që mbajnë kryet përpjetë” siç do të thoshte poeti kombëtar, Naim Frashëri, presin ato fusha, presin ato pllaja të bukura, pret Deti Jon i dallgëzuar dhe i trishtuar, presin shtëpitë çatikërrusura njerëzit e vet, gjuhën e vet, këngët e veta. Presin që sërish nënat të lindin fëmijë dhe në djepa t’ u këndojnë këngë dhe ninula djepi me gjuhën e bukur shqipe.
Le të punojmë, pra për Çamërinë për atë tokë të shenjtë, që ruan testamentin e saj në Dodonën e perëndive antike!