Çaste me poetin:Çerkin Bytyçi
MUND TË NDODHË, MUND TË NDODHË
Në këtë kohë, çka nuk dëgjohet
flitet, përfolet pa mbarim,
në një darsëm diku n’qytet
edhe ujq janë parë n’vallëzim!
Mund të ndodhë, mund të ndodhë!
Qenka parë diku në fushë
si një lepur kishte dal për gjah,
ç’ndodhë me te, si ka guxim
t’pret gjahtarin me çiften në krah?
Mund të ndodhë, mund të ndodhë!
Edhe një peshk qenka parë buzë lumit
në ujë kish’ hedhur një grrep prej ari,
askush s’e dinte pse këtë e bëri –
por, priste n’grrep t’binte peshkatari.
Mund të ndodhë, mund të ndodhë!
Një lajm i çuditshëm mori dhenë
që një mi pas e ngiste macjen,
e çka s’u tha për një këndez
kinse e rrjepi dhelprën natën!
Mund të ndodhë, mund të ndodhë!
Përfolen këto dhe një risi tjetër
që shpesh dëgjohet por, a ndodh s’e di,
se në shkollë do të shkojnë gjyshërit
dhe ne fëmijët do t’rrimë n’shtëpi!
Mund të ndodhë, mund të ndodhë!
(çb.)