Çaste poetike, me dhembje shpirti,me poeten;Sherife Berisha THAÇI
Jam bijë kosovare
—————————-
. Jam Lule – Vjollcë
Në kërkim të stinës,
që i thonë pranverë.
Pas humbjes së shpresave
për të mbetur në Kosovë,
Mu desh ti bashkëngjitëm egzodit
masiv te përmasave biblike,
Të bëhem nuse shumë larg teje,
por…afër,
Nuse pa duvak –
pa fustan nusërie.
Nga derë e shtëpisë dola me
petka të zeza korb
Për TY Kosovë,
Për bijtë e ashtit tim
Që ranë për TY,
e mbetën mbi dhe.
Ashtu të pavarrosur i lashë,
E nuk pata mundësi as t`ua mbyllja sytë,
Dhe t`ua përshpërisja fjalët:
Flini të qetë,
Liria nuk është larg
Oh…
ç`dhembje mbeti në zemrën time
Në ato ditë kur vërshuan
lumenjtë e gjakut e të lotëve,
Për gjithë atë ferr e tmerr,
Që të kishte rënduar trupin tënd Kosovë.
Ta ktheva shpinën
Duke të lënë TY,
Mbretëreshë të robëruar.
Plagët, ti mora me vete dhe i
barta brigjeve të detit.
Duke u dallgëzuar me to,
lutesha për fatin Tënd dhe Timin,
Që të mos na ndjekë hija e orëligës.
Lutesha – Kosovë –
Të mos më shohësh të vdekur,
Por… të të shoh të gjallë,
Shpresat i kisha gjithherë,
Se një ditë do të të shoh të lulëzuar,
Ashtu siç këndon zemra ime për Ty.
Sot në Kosovë vie erë lirie…
E unë lutem :
Merrmë edhe njëherë në krahët tu Kosovë
Se më ke gjak, më ke asht…
Se këtu retë ma ndalin frymën.
Unë këtu jam veç si një hije e natës së pikëlluar.
Unë dua të jem atje ku bukës i thonë bukë e ujit ujë.
Unë, dua lirshëm të frymoj,
aty ku qesha dhe qava njëkohësisht.
Unë dua të jem në mesin e njerëzve
të ashtit tim Më merr në krahët Tu Kosovë,
Gjaku im,
Kënga ime,
Lulja ime,
Dielli im –
KOSOVË.
/www.QendraPress.com/