Çaste poetike me penën brilante nga ;Rexhep HOTI
Me Ukshin Hotin
—————————
Nëpër këtë rrugë të gjenocidit
Dikur udhëtoja me Ukshin Hotin;
Atëherë koha ishte e etur për gjak
Dhe kurrë nuk më binin vitet ndërmend,
Në isha unë më i ri apo ai më plak.
Të dy e pinim duhanin me kamish qelibar,
I blinim veçmas te Simoni në Prishtinë;
Ma kishte lejuar këtë të drejtë baca Ukë,
E kurrë s’munda ta thërrisja Ukshin!
Vetmia ishte e madhe tek ai,
Bota s’ia nxinte dhimbjen e trishtë;
Pija duhan e llafosesha me gjeniun,
Si t’i kisha ruajtur me të delet në selishtë.
Mendimi i shtjellohej nëpër tym,
Unë pastroja nikotinën në qelibar;
Tymnaja ngjante në veturën tonë,
Si shtëpitë kur digjeshin në Vukovar.
I sosnim kilometrat me Passat-in e tij,
Ai e ngiste natën nga Krusha në Lubjanë;
Pas çdo lodhjeje pinim kafe me coca-cola,
Si të ishim në Përzhinë, ulur në ballkon.
31 dhjetor, 2019
Lubjanë – Zagreb – Beograd – Krushë e Madhe.
/www.qendrapress.com/