çaste poetike me penën e artë prizrenase; Gëzim Ajgeraj

0

PASKAN IKUR TË GJITHË PLEQTË NË MALËSI

Ikën edhe pleqtë e lagjes një nga një

Si frutat e pemës kur bien në vjeshtë

Zbrazur mbetën kullat s’ka kush t’u lëshojë një zë

Të ulet tek oxhaku e të ndezë një cigare me eshkë

Ka kohë që kjo dhembje shpirtin ma gërmon

Sa e sa pleq kur ika i lashë në Malësi

Dhe sa herë kthehem shumë nga ata më mungojnë

S’mund t’i takoj kanë ikur në përjetësi

E dhembshme është ikja dhe mungesa e tyre

Vendi ku çdo herë uleshin tek na përcillnin larg

Se si më nxjerrin mallin e kujtimeve e loti rrjedh në fytyrë

Në kthimin tim që vendin e gjej të zbrazët

Se si paskan ikur një nga një pa u thënë lamtumirë

S’kishim faj ne e as ata, kurbeti na kish harruar

Dashuria për ta, oh ç’ma ndez dëshirën

Të ulem në vendet e tyre e një nga një për t’i vajtuar

Ah, ç’shëmti e zezë i paska rënë lagjes!

Dhe odat në kulla shkretuar qenkan e tharë

Paskan ikur nga kjo botë të gjithë pleqtë në Malësi

Ç’mungesë ndjeva, të ndërroja disa llafe për mall

                               2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *