Çaste poetike me poeten;-Adifete SHITI

Të dua, o shqipe

____________________________

Të dua për bukurinë që mbart,

për hiret që ta fali Zoti,

për tingujt e ëmbël të gjuhës sate,

si një këngë e lashtë që s’ka vdekur kurrë.

Të dua për flamurin kuq e zi,

që valon krenar mbi mal e fushë,

për gjakun e dëshmorëve të lirisë,

që u bë dritë mbi plagët tona.

Të dua për trimat që s’u dorëzuan,

për nënat që kënduan ninulla edhe në vaj,

për këngët që dolën nga zemra e popullit,

si kushtrim për jetë, jo për harresë.

Mallkuar qoftë kush guxon të të njollosë,

kush harron emrin tënd të shenjtë,

kush baltë hedh mbi dritën e flamurit,

që u la me gjak të pastër shqiptar.

Kush s’të do, mos gëzoftë kurrë paqe,

mos pa drite as në fund të tunelit.

Se pa ty, o atdhe,

zemra mbetet shkretëtirë.

Na fal, o shqipe e shtrenjtë,

për plagët që ende s’t’i shërojmë,

na fal që shpesh pak bëjmë për ty,

ndonëse ti na dhe gjithçka.

Por dije mirë

në zemrat tona je flakë që s’shuhet,

në gjakun tonë je melodi që s’hesht,

në shpirtin tonë je bekim e amshim.

Të dua, shqipe

Për jetën, për gjakun, për gjuhën,

për çdo ëndërr që u rrit mbi këtë tokë.

Të dua përjetësisht

se pa ty, s’jemi asgjë.

Adifete Shiti ©

/QendraPress/