Çaste poetike me poeten; Adriatike Xh. Lami
Ja pse vjeshta ka ndryshuar!
———————————-
Po iki…
Duke i lënë gjërat nën ritmin e një vjeshte të pasosur.
I dashur,
Asnjëherë më parë nuk kam pasur frikë nga humbja sa tash
Bash për ty i kam zgjimet dhe ëndrrat
Fjalët i ruaj, pasi më thonë se aty është shija ime!
Po kështu dhe mërinë e vjetër
Gati për betejë e mbart!
Dhe ti më thua: që mund të shkoj…!
Dhe unë bëhem gati, se vrulli për ty
Nuk përballet dot me mungesën e gjatë!
Beteja jonë ka nisur,
Jemi të dy luftëtarë, humbës të mjerë dhe fitimtarë të zotë!
Njësoj shohim përtej kur nuk duam të themi atë që s’duhet!
S’ ka më shumë se kaq bota e dashurisë…
Kur mbetesh brenda një vjeshte dhe një vargu.
Eh, tashmë nata ime njeh çdo fshirës rrugësh
Fësh – fësh- et dhe shpejtësinë marramendëse të kamionëve në kthim!
Ti më thua në vesh: kujdes shpirt nga të çmendurit
Që nesër sërish të vish!
Drejt meje, me mua…
Kaq më duhet, kujdesi yt është përtej dashurisë për një grua,
Dhe patjetër që këtë vjeshtë ma bën të pasosur!