Çaste poetike me poeten;- Afërdita Bashota-PODVORICA

ATJE KU FJALA MERR FRYMË

—————————————-

Nuk është mërgimi ai që më dhemb,

por vetja që më mungon

në vendet ku s’jam plotësisht unë.

Malli nuk më lodh

ai më mban gjallë

në gjuhën që flas vetëm me veten.

Këto rrugë më njohin

vetëm nga hapat.

Zemrën s’ma kuptojnë dot,

se rrah ndryshe

kur dëgjon një emër shqiptar

në turmën që kalon pa më parë.

Kam hequr dorë nga kthimet e shpejta.

Tani kthehem në copa:

me një letër të shkruar,

me një këngë që më rrëqeth,

me një erë që sjell

aromën e dheut të lagur pas shiut.

Nuk kam më mall për rrugët,

as për shtëpinë.

Kam mall për veten

që isha,

kur gjithçka ishte e thjeshtë,

dhe fjala “Atdhe”

s’kishte nevojë të përkthehej.

Afërdita Bashota-Podvorica

/QendraPress/