Çaste poetike me poeten;-Albana Osmani Dzhaferi

Jeta si fluskë sapuni

———————–

Sa herë mendon se

ke arritur shkëlqimin,

 si fluskë sapuni ngjitesh

 lart në qetësi.

Por kur më së paku e

 pret përqafimin,

shpërthen në grimca,

humbet në gjithësi.

“Jeta është e gjatë”, –

por shpesh edhe e shkurtër,

e mbushur me ëndrra dhe plagë

që nuk shuhen.

 Kur dhimbja të shtrin,

kur shpresa tretet,

 shpirti me hijet e vetmisë endet.

Fantazitë të thërrasin,

dorëzohesh ngadalë,

bie në mendime ku

çdo gjë duket valë.

Por sa thellohesh

dhe prek vetveten,

kupton se s’mund të

humbësh krejt jetën.

Një pendesë e butë

në shpirt të zgjon,

e sërish për dritën me mall lufton.

Kapesh fort për çka ke,

për ata që do,

sepse dhe fluska,

kur zhduket,

lë dritën ta kujtojnë.

/QendraPress/