Çaste poetike me poeten;- Albina CEKA

TRANSPARENCË, LAKURIQËSI

——————————————

Transparenca dhe lakuriqësia,

si hëna ndarë në dy mistere,

mendja e fshehur pas xhamave të errëta,

kërkon dritën të fshehur nën perde.

Lakuriqësi, kthim në fillesë të lashtë,

ku trupi ishte veç frymë e dritës,

transparenca shkëlqim i gënjeshtrës,

që varros pa mëshirë çdo të vërtetë.

Në kopshtin e fjalëve të pathëna,

çorientohet njeriu nga nuancat e perdes,

pasqyrave dallon ndarjen brenda vetes,

ku gënjeshtra thyen shumë të vërteta.

Kristalet therëse ndajnë qiellin nga toka,

me stampa gjaku tatuazh stampojnë,

numra të fshehtë rrahin si lutje të lashta,

mbi rrethin e botës qarkullojnë.

Hapësirës gjithçka bie si pluhur i kohës,

emri, trupi, hija, dëgjimi dhe fjala;

mbetet një pikë referimi ekzistenca,

që lëkund transparencën lakuriqësive të botës.

/QendraPress/