Çaste poetike me poeten;- Albina CEKA

KU EDHE HIJET PUSHTOHEN
—————————————–
Me gishtat që dridhen mbi penela të ngrirë,
me shikimin e turbulluar nga mjegulla,
përpiqem t’i shkrij ngjyrat me frymë,
të pikturoj diellin
aty ku natyra sot nuk arrin.
Në kufirin mes dritës dhe lutjes,
shpirti më ndizet e fiket pa zë.
Ngjyrat nuk i zgjedh unë,
ato shkrihen vetë,
si shenja të lashta mbi lëkurë.
Përpiqem të pikturoj diçka pa emër,
atë që zbret e prek si pupël e lehtë,
kur koha harron të ecë
dhe errësira rehatohet në zemër;
penelat kthejnë dritë – hijen në mendje.
Në telajo hapen porta të padukshme,
dhe unë kaloj pa trup, vetëm frymë,
vetëm dritë e mbajtur brenda,
vetëm puthje që zemra s’i harron kurrë.
Sepse përtej natyrës
fillon misteri.
Aty shtangen sytë që lotojnë
dhe duart që dridhen;
fryma, si shkëndijë, shkrin ngricën.
Ndizen përsëri drita që prekin enigmën,
shpërthejnë ngjyra flakëruese
që lexojnë shpirtin.
Ngjyrat e tij përplasen mbi hijet njerëzore,
pengohen nga penelat
që mbi botë pikturojnë kufij,
mbi frymë që mjekullojnë horizonte,
mbi luftëra të shpallura e të pashpallura
ku edhe hijet pushtohen.
/QendraPress/