Çaste poetike me poeten;- Arjana Fetahu GABA

S’MË ZË GJUMI, NËNË
———————–
S’po më zë gjumi, nëna ime,
S’kuptoj vërtet si mund të fle.
Trupin kam këtu, në shtrat,
Po mendjen larg, tek ty, atje…
Një muaj pret valixhja gati,
Në të dhe ilaçet e tua.
E di, dhe ti s’ke gjumë, nëno
Edhe pse kurrë këtë s’ma thua.
Të voglin do ta marr me vete,
Gëzon, do puthë gjyshen e tij,
Po vetë bëhem vajzë e vogël
Që mezi pres tek ty të vijë…
Im bir nuk njeh mungesë nëne
Dhe unë s’kam si t’ia tregoj,
Ka raste kur s’e marr me vete,
Po kur mungon ti, s’është njësoj.
Ndodh shpesh të më rriedhin lot,
Ia fsheh sytë dhe fytyrën djalit.
Se janë lot të rëndë, nëno,
Të rëndë mal e shkuar malit.
…Bileta pret mbi tavolinë,
Ditët ngurojnë nëpër fletë.
Zemrën e ndjej zog të drobitur,
Një cicërimë mezi gulçet…
Një muaj pret valixhja gati
Dhe shpirt e frymë i kam aty,
Ta puth atë ballin me rrudha,
Të çmall ata sy…
Arjana Fetahu Gaba,
/QendraPress/