Çaste poetike me poeten;-Armenida QYQJA

Instinkt primitiv…

————————

Vëzhgoj efektin e heshtjes së ëmbël

Dhe të fjalëve të mia mbi ballin tënd,

Valëzimin e papritur të relieve

Që shkakton buzëqeshja

Dhe një lëvizje e shkujdesur e flokëve…

Shoh gjakun si ngrihet

Mbi shtretër kapilarësh të trazuar,

Me avujt e verës së ngrohur mbi buzë,

Thellë në qënie t’më rrokë…

Jeta është fare e thjeshtë dhe ti je i imi,

Me gjithë çorjentimet zhurmuese

Së rrokopujes së dollarit

Që s’di ku do gremiset,

Korreve të përziera

Të vajtuesve e spekulanteve

Që kurrë s’humbin kohë…

Fatmirësisht, jeta është një thirrje gjaku,

Instinkt i thjeshtë primitiv,

Si kënga e këtij zogu në mes të acarit,

A e dëgjon? Ai s’pyet për të

Dhe i thërret pranë të dashurës…

Merrmë, çomë në shtëpi!

/QendraPress.com/