Çaste poetike me poeten: Bajame Hoxha – ÇELIKU

TE SHELGU I BARDHË

—————————————–

Mendimi për ty, çdo ditë më mban gjallë.

I nis këto fjalë të shuash për mua mall.

Larg, afër në tokë, apo në qiell të jesh,

një mal i thepisur do na qëndrojë në mes…

Çirrem kot e qahem me shpirt të lënduar,

si një det me dallgë më gjen të tërbuar.

Shtatë herë e puth fjalën, më jep një besim,

britma ngazëllimi n`horizontin tim.

Kundronim të dy hënën tek rrugic’ e vjetër;

me afsh e prush rinie si asnjëherë tjetër.

Me zemër puthja sytë me dëlirësi qiellore,

në dritën e argjendtë të rrezeve hënore.

Tis i ëmbël u mbështoll me natën hyjnore,

mes asaj dashurie të zjarrtë xixëllore.

Aty kemi brenda rininë e çasteve magjike,

si ëndërr mbërthyer në vargjet lirike.

Puthmë i dashur me dallgën e ngrohtë,

tek ty dua të vij, por ah që s`vij dot!

Atje ku pranverave mbollëm lule Maji,

dy emra gjenden te shelgu i bardhë.

/www.QendraPress.com/