Çaste poetike me poeten:-Barie ÇUPI

Gjurmët e vjeshtës
———————————
Binte shi dje,
sot vjeshtë e tretë,
dielli zbret për ta ngrohur prap tokën,
e nesërmja e një dite me re të ngarkuara,
zogjtë çukisin thërrimet e fundit dhe nisen fluturim,
portokallet dhe limonët mbushin tezgat e fruta perimeve,
një gjyshe po blen dy shegë,
të skuqura gjak,
dielli u ngjason rrezeve të syrit,që
mbetën peng i një malli vjeshtak,
në dritare nuk ka mbetur asnjë shenjë gishti,
qenka tharë avulli në xhamin e qelqtë,
ku dje shkruajta një varg,
shirat pushojnë sikur lotët,
diejtë flenë e zgjohen për të ngrohur zemra,
se dija që kjo vjeshtë e tretë do
m’i ngatërronte mendimet,
me ngjyrat e gjetheve,
formësuar si anije të vogla ngushëlluese,
me pëshpëritjet e mia për diellin,
buzëmbrëmja hedh shallin e saj të ftohtë
dhe shkurton ditën,
vjeshta e tretë është në habitatin e saj.