Çaste poetike me poeten;-Barie ÇUPI

Koh’e shkruar

——————————————–

…thërrimet e kujtesës,

si zhurma e trurit që bërtet në netët pafund,

pastaj përrenj që gulojnë deri në zgjim,

gurë të ngjeshur në kraharor,

pëshpërima të pas shpinës në çdo vendkalim,

gjer në flatrat e erës ku dhe heshtja ulërin,

shtyrje,

ngecje,

reagim,

tinguj që thyhen në fajet për shpëtim,

thërrimet e kujtesës në çdo sirtar,

në një valixhe të vjetër humbur ngjyre,

një fustan i kuq me dekolte të rënë,

i harruar pa sebep,

këpucë të paveshura,

copa letrash zhubravitur në çdo xhep,

ditësh,orë të rrjepura,

foto të shkrepura,

që fshehin dhimbjen,

përplasur në sa e sa zhgënjime,

dhe plagën duart tek i prek e i mbledh,

me frikën mos bën gabime,

eh,s’është çudi,

në fakt kur thua,

-unë aty gjej kohën e shkruar për mua,

natyrën që më rriti,

mallin,

fëmijërinë,

shkujdesjen,

rininë,

gjej të bukurën,

mendimin,

dalldisjet,dashurinë,

gjej humbjet,

gjej triumfe pa shpërthime,

gjej buzëqeshjen e gatuar

enkas për statujën time.

/QendraPress/