Çaste poetike me poeten; Behare Daja KASA

KUJT ME IA THÂNË SHQETSIMIN TEM?

—————————————

Sot jam e shqetsuer sepse delli nuk doli si zakonisht,

sepse dita âshtë e trisht’

dhe nuk ma dha përshnetjen e zakonshme mëngjesore,

sepse jeta e përditshme i heq kâmët zvarr’

a thue se nâta nuk ia fali qetinë

dhe nuk fleti rahat n’jastikun e kohës s’vrarë.

Apo mos vallë e zgjuen ândrrat e parealizueme t’shekujvet?

Sot jam e shqetsuer, sepse dita âshtë kaq e vogël,

âshtë kaq e pa fjalë,

âshtë kaq pa veprime,

sepse rrug’t janë çdo ditë e mâ t’plogta,

sepse përditë myllet nga nji port’ shpije

e familjart me valixhe n’duer,

s’e lânë mâ çelsin t’fshehun diku, si dikur,

sepse largimi i tyne tash âshtë pa afat,

sepse nxânsit e shkollavet po ikin

e klasat e zbrazta sikur duen me e hângër msuesin

si tollumbat e Lulit t’vocërr.

Msuesi met i pa gojë përball’ drrasës s’zezë

e shkumsi i mjer’ i thërrmohet n’dor’

pa shkruer qoftë dhe një t’vetme shkronj’,

se funja s’ka kujt me i shkrue.

Veç me i shkrujt vedit.

Vështrimn e trisht’ e nal mbi bankat boshe dhe loti i ngri n’sy duke brit.

Kujt me i shkrujt heu? Kujt???

Sot jam e shqetsuer, sepse Shekulli i Ri erdhi i plakun

dhe na t’bijt e k’tij shekulli

edhe fmijt po i lindim akoma mâ pleq

dhe hala mâ keq, s’po i lindim n’trojet tona, por n’për botë

e bota g’zohet dhe hap dhâmbt e kalbun përball’ shqetimit tem…

Kujt me ia thânë shqetimin tem heu? Kujt???

/www.QendraPress.com/