Çaste poetike me poeten;-Bjondina AGOLLI

Nëntori i Shqiponjave!
———————————-
Nëntori zbret si këngë e vjetër,
si lahutë që zgjon malet n’ag,
e mbi çdo shteg ku shkel liria,
ringjallet gjaku i një kombi plak.
Në Vlorë valon një ditë e shenjtë,
ku firmëtarët ngritën zërin lart,
e flamuri ynë i kuq me shqiponjë,
u duk si diell që çan terr e natë.
O Nëntor, o muaj i zemrës,
me ty çdo brez kujton të parët,
që me besë, me shpirt e gjak,
vendosën themelet e Atdheut të ngratë.
Në çdo cep atdheu frymon histori,
në çdo fshat, në çdo qytet,
e bijtë e shqipes përulen me mall,
para atyre që dhanë jet’.
E kur flamuri ngrihet në erë,
shqiponjat hapin krahët plot dritë,
e një popull ngrihet si mal i gjallë,
të festojë Nëntorin—krenari e pakufit.
Vijnë ditët e Nëntorit si fllad i shenjtë,
mbushin rrugët me ngjyra të njoma,
e në sytë e fëmijëve shndrin e ardhmja,
si yll i ri që lind mbi trojet tona.
Nëntori i dytë sjell kujtim të rëndë,
kur trimat çanë retë e robërisë,
dhe çliruan Atdheun me flakën e zemrës,
që s’njohu frikë, veç dashurinë e lirisë.
Na flet historia me zë të fortë,
si nënë e urtë që këshillon bijtë:
“Mbrojeni tokën që ju dha emër,
ruajeni gjuhën, këngët dhe dritë.”
Nëpër festa ndizet zemra shqiptare,
me flamuj, këngë, valle e gëzim,
bashkohet populli në një urim të madh:
“Rroftë Shqipëria, rroftë uniteti ynë!”
Dhe nata e Nëntorit kur bie ngadalë,
mbi shtëpi, mbi male, mbi qytete,
shkëlqejnë dy shqiponja në qiellin tonë,
si bekim i lirisë që s’do shuhet kurrë
/QendraPress/