Çaste poetike me poeten; Blerina Çifliku BEHARI
NUK MUND
—————————-
Nuk mund të ndal gurët që bien
si hijet e skëterrës;
Nuk mund të hesht kur toka gllabëron
mijëra jetë në rrëshqitje kohërash;
Nuk mund të shikoj stuhinë
që ka ngjyra demoni të ferrit;
Nuk mund ti qesh humnerës
që më pret si Caribdi,Odiseun;
Nuk mund të dua egërsinë e dashurisë
me sindrom Stocholmi.
Nuk mund të ushqehem në pjatën e Ciklopit
e të mendoj fijen e tjerrë në kohë moderne;
Nuk mund të jetoj me krahë korbash të lumtur;
Nuk mund të tret lotët
me pika shiu vjeshte që ndal në Mars.
Nuk mund të qesh me marshe funebre
mbi arkmorte poezish të vrara nga indiferenca;
Nuk mund të shtirem si jeta e tjetrit.
Nuk mund të zhytem në depozita harrese
edhe kur këndoj psallme faljeje në kishë!