Çaste poetike me poeten:- Bona Mulaj LLUKA

ERDH’ VJESHTA I DASHUR….!
——————————
Dhe erdh’ përsëri vjeshta i dashur.
Kapluar malli ma paska synë
Në veshë u bë kohë , s’i dëgjoj fjalët:
“Kur do rritesh, mendtë kur do të vijnë?”
Se sa herë kjo stinë vinte, e dije!
Do të kërkoja të ngjisnim bjeshkët
e ti diku ulur rrije e vështroje,
tek çmendurisht sodisja gjethet.
Kushedi sa e lojtur të jam dukur
kur shpesh të thoja: dhe pak të rrimë.
Sot matanë përroit të kërkoj sytë
Le të më thuash “mendtë kur do të vijnë”
Dhe erdhi përsëri vjeshta i dashur
dhe përsëri unë mend s’kam vënë
Tek bredh lazdruar si t’kem tërë botën
tek eci harlisur, mbi gjethet rënë.
Me gjethet ,do t`i nis të falat
Do thuash prapë: “me këto mend kjo”
Me gjysëm zëri,tek dridhet buza
kapluar mallit …do qash mbi to
Erdhi përsëri vjeshta i dashur!
/QendraPress/