Çaste poetike me poeten;-Dallandyshe ALIAJ

Unë zgjedh të qëndroj në këmbë
—————————————————-
Unë zgjedh të qëndroj në këmbë,
në tokën ku dikur rashë,
mbi kujtimet që si thikë
më lanë pa frymë, pa zë, pa dash’.
Kam qarë net me gur në kraharor,
kam heshtur derisa loti u bë shpatë,
por s’u thye shpirti im që digjet,
jo, ai s’u bë hi, u bë flakë.
Ti ike… e mora veten përdore,
si një nënë që s’braktis shpirtin e vet.
Tani më njoh:
jam grua që ecën zbathur mbi humbje,
por nuk ecën mbrapsht.
Nuk më duhet më shpjegimi yt,
as kthimi yt si hije pa dritë.
Unë jam vendimi im —
një po ndaj vetes,
një jo për çdo hije që më fik.
Zgjedh të qëndroj,
me plagët si medalje,
me mallin si poezi,
me zemrën që nuk pret më të shpëtohet,
por që ka shpëtuar veten –
pikërisht këtu,
në këtë rimëkëmbje me varg dhe dritë.
Vlorë. 20.06.2025..
/QendraPress/