Çaste  poetike me poeten ;Dea Basha

Portret i ndryshkur

———————————–

Atë natë
Kur kova e mbushur me mbetje cigaresh
Miklohej nga ashpërsia e piklave ujore
Asaj iu zhubros fytyra
I ra ndër sytë e lodhur
Ngrica e akujve të përjetshëm
Pisllëqet e dheut të kujtesës
Ulërinin për pak vëmendje
Atë natë
Shurdhimi frymonte qetësi të rreme
Në kafshimin e secilit thua
Buzës i errej melodia
Vetullës i kamxhikosej ngjyra
E duarve
U dha shëndet përkëdhelja
Atë natë i bëra dhe pikturën
Legjendare si vetmohimi që e gënjente
Virtuoze si mjeshtëria e sapomësuar
Mizore
Lemeritëse
Shpirtçjerrëse (Përsosmëri!)
Si ëndja për ndjësi të bukura
Njëherë e një ferr
Kur pikturat nuk pikturoheshin
Veç shkretoheshin me gjilpëra
Dikë e vrava duke i dhënë jetë
Teksa prisja
Me gjilpër në duar
Të gëlltis pak ujë nga ky pus i ndytë