Çaste poetike me poeten: Dije LOHAJ

NË PËRPJESTIM ME RRUZULLIMIN

———————————-

Me lirikën e pranverës

bredh lulëbardhave,

freskoj sythat jeshile ylberore

pa i shpëtuar

progresionit të ADN- së

dhe i ngjaj shkëlqimit,

tek një fije bari mbin mbi

hapat e mi kryeneç…

Sikur shkundin

ikjen e gjurmëve magjepsëse,

ujisin lulet pas cunameve që ua solla dikur,

tek rilindëm me ciklin e plotë

të spirales së dyfishtë

në legjendën e tokës së përcëlluar

Tek uji me dheun e qiellin

bulëzuan me raportin e artë FI

pas helmit shkatërrimtar.

Paçka një nga një pikëzat e jetës

bien në qetësi prej lëngu epitelial

i vështroj si në ëndërr

duke shëtitur nëpër Kashtën e Kumrit

jashtë orbitēs sime

ku si pupël e zverdhur

numëroj pikëzat e ujit.

Hijet e sendeve

shkrihen ngadalë

me agun…

Në alkiminë e këtij infuzioni

ato pikëza udhëtojnë artereve.

Njëra pikë krijon ngjyrën e lëkurës

tjetra freskinë e shpirtit

Ç’forma fshihen pas

tingujve të Onufrit?!

Peisazhe tē trishta

pikturojnë lëkurën time,

shikohemi mes vete

në pasqyrën gjenetike.

Ç’forma fshihen prapa sojit tonē?!

Tejdritës e vezullimës

tek guri dhe drita matin lartësitë

e përpjestojnë botën

në kêtë koshere mezi marrim frymë…

/ www.QendraPress.com/