Çaste poetike me poeten: Donika DABISHEVCI
𝐄 𝐆𝐉𝐈𝐓𝐇𝐌𝐎𝐍𝐒𝐇𝐌𝐉𝐀 𝐃𝐀𝐒𝐇𝐍𝐈
——————————-
Nji hap para veç e kish,
kur u rrëzue si shkamb i
bashëm shtatrandë
dhe e puthi tokën.
Nji lulebozhure iu
qëndis mjedis shpatullash,
lulebozhure ujitun me
vrushkuj t’nxehtë gjaku.
Dritë e hanës përthyhet
n’t’kuqen e ndezun.
Llamburit fort!
S’don me ju zanë besë syve, ajo.
M’u qorrofshin të dytë, thotë,
teksa ndihet edhe krisma tjetër.
Dhimta tmerrësisht therrëse s’e ndali.
Kambadoras e marramendun
rropatet mjedis plumbash
drejt trupit t’dashtunit
tuj zvarritë.
Lotët i rrëshqasin si gur n’rrënoja
t’nji kështjelle të shkatrrueme…
Tre hapa sa tre shekuj!
U plandos mbi trup t’tij
ngrimun si mermer,
e përqafoi çehrebardhin
shikim mbetun drejt qiellit,
iu lëbyrën sytë,
iu terratis gjithçka
… dhe vdiq!
Trotuari u kuqlue.
U la n’gjak.
Ish e diel e tyre e fundit,
vrapim i fundit,
përqafim i fundit, ish!
Asht dashnia ajo
që s’e ndalin
as plumbat,
as ploja,
as kurthet,
as pritat
as çmendunia
as absurditeti i luftës.
E përjetshmja.
E përtejshmja.
E gjithmonshmja.
/www.QendraPress.com/