Çaste poetike me poeten: Donika DABISHEVCI

I keq, ti…!

————————-

Pse m’rri hutueshëm

i rand’ plumb prej heshtjes?

Diellore jam unë s’jam nemë e zezë.

I panjohun mund t’jetë veç çasti

që mblatoi këtë joshje t’egër,

çmendunisht thell’.

Pse druhesh?

 Nji ditë as ti e as unë,

 s’kemi me kenë ma

kemi me humbë,

 kemi me u zhba.

Ti ke me u kthye n’moçal,

unë n’llavë vullkani,

 ti n’ndoj prrue n’vërshim,

e unë kam me shndritë si ylber,

si ylber shumëngjyrash plot gzim!

 Mos u tkurr,

Shpërthe si vrushkull gjaku!

 Shndritma zemrën, përflakma trupin.

Dhe po: Buzën!

 Qenie e dobët që do lutje: Buzën!

/QendraPress/