Çaste poetike me poeten:-Donika Meta GJURA

Një lot që pikon
——————————-
Në tokë të huaj nën Qiellin e zymtë,
ai e mbjell vehten si bimët nën dhe.
Punon në heshtje teksa fytyra venitur
n’çdo gërmë që flet, thotë; unë jam atje.
U nis në ag për mali pa zhurmë e pa fjalë,
me sytë nga Qielli e me shpirtin zjarr.
N’çantë kish veç rroba dhe bukë për rrugë
zemra i peshonte më shumë se një shllungë.
Në atë tokë të huaj punon pa ndalim,
një gjuhë që s’e flet me shpirt e me zë.
Çdo natë mall e çdo mëngjes trishtim
dhe një lot që pikon e askush nuk e sheh.
Kur kthen kokën pas, shpirti i dhëmb,
se vitet kalojnë e thinjat të zbardhin.
Por zemra i rreh veç për një vënd
atje ku me besim emrin i thërrasin.
Atdhe më fal pse të braktisa at’here,
me shpresën në krahë, por shpirtin këtu.
Veç malli si hije kudo po më ndjek
më plaku pa u kthyer n’tokën ku linda u bëra burrë.
U nisa me ëndërra në valixhe të vjetër,
me shpresën në gji dhe frikë në shpirt.
I lash pas kullat gurët oxhak e derë
Për një jetë më t’mirë e një rrugë pa kthim.
Zemra më rreh gjithmonë në shqip,
se malli që ndjej e ka emrin shqiptar.
Se edhe në gjumë thërras o tokë më prit
se s’mundem jo, të harroj vëndin amtar.
Ju që ikët për bukë t’gojës e jo për lavdi,
në heshtje ju jeni heronj të vërtetë.
Në çdo pikë djerse ka brënda Shqipëri
një plagë e hapur që s’po mbyllet për jetë.
Natën mbyll sytë n’ëndërr m’del një dritare,
një portë e vjetër e një livadh në lulëzim.
Një zë që më thotë; kthehu sa më parë
bir vëndlindja po të pret me mallëngjim!
/QendraPress/