Çaste poetike me poeten ; Eli Zeneli
KUR UNË BUZËQESH
——————————
Kur unë buzëqesh
Në buzë më çelin
Lulet shumëngjyrëshe të idealit
E dhëmbët më shndërrohen në margaritarë
Të varur në qafën e Perëndeshës Dashuri.
I kam buzëqeshur jetës gjithmonë,
I buzëqesh edhe sot miqësisht
Jam esëll dhe e dehur njëkohësisht
Nga arti i të dashuruarit ëmbëlsisht.
Duke qeshur jetës i thërras
Kumte dashurie asaj i çoj
Djajtë që më rrethojnë fort i godas
Jetës ia hap rrugën të udhëtojë
Drejtë planetit të lumturisë.
Me buzëqeshjen time paqe përçoj,
Përmbi gjithë planetin tej mbi re.
Sa herë buzëqesh
Lumenj dashurie shkojnë rrëke.
Buzëqeshja ime,
Është e bardhë si bora majë mali,
Është e kuqe si lule bozhuret e atdheut,
Është e kaltër si qielli i lumturisë njerëzore.
Kur unë buzëqesh
Në buzë më çelin
Lulet shumëngjyrëshe të idealit
E dhëmbët më shndërrohen në margaritarë
Të varur në qafën e Perëndeshës Dashuri.