Çaste poetike me poeten;-Elmije AJAZI

MË FALË
——————–
Më falë!
Për çdo hap që më shkëputi prej teje,
o tokë e shenjtë,
për çdo fjalë që m’u ngrinë në buzë
si dëborë pa diell, si heshtje pa shpresë.
Më falë!
Për betejat e lëna pa këngë,
për flamurin që ra ndër duar të huaja,
për shpirtin që nuk u ngrit,
kur duhej të ngrihej si mal përmbi stuhi.
Më falë, o nënë!
Kur lotët e tu ranë si bubullimë në natë,
e unë u mbështolla në tym të zi.
Më falë për premtimet që u shuan
si shkëndija në erë të verbër.
Më falë, o dashuri!
Kur zemra ime heshti, ndërsa ti flije,
kur duart e mia lanë pëllumbin të bjerë,
e lotët e tu u kthyen në gurë.
Më falë, o kohë!
Për çdo orë të hedhur si gur në humnerë,
për çdo shteg që s’e mora nga frika,
për çdo agim që më iku pa këngë.
Më falë!
Sepse sot zemra ime është rrufe
që përplaset mbi kreshta malesh,
dhe shpirti im është kushtrim
që nuk njeh më heshtje.
Unë do të ngrihem!
Do të këndoj nëpër rrugët e harresës,
do të shkruaj me flakë mbi gurë,
do të ndez flamurin e shpirtit tim.
Sepse falja nuk është vetëm fjalë
është zjarr që lind…
MË FALË!
Regensburg, më 28 shtator 2025
/QendraPress/