Çaste poetike me poeten;-Elmije AJAZI

Mos ma ndalo dritën

——————————-

Mos ma ndalo dritën,

atë dritë të brishtë që rritet në heshtje,

si një trëndafil që merr frymë nën tokë

dhe rri pezull midis dhimbjes e mrekullisë.

E kam varrosur frikën thellë,

por shpresën e mbaj në pëllëmbë,

siç mban qielli një yll të vetëm

kur nata i merr të tjerat.

Mos e shkel me ngutje,

se ka rrugë që nuk durojnë peshë,

dhe ka ëndrra që thërrmohen

edhe nga një hap që s’është i gabuar,

por i pamenduar.

Le të jetë kjo gjëja ime e shenjtë,

që s’do të më plasaritet në duar,

që nuk do ta gërryejë koha,

që mbijeton edhe kur era ulëret tek dera e plasaritur.

E ruaj si një fëmijë të vogël të botës sime,

si një petal që digjet e s’këndellet dot më,

si një premtim që kërkon duar të pastra

edhe kur bota të njollos.

Prandaj, nëse kalon pranë saj,

kalo si një lutje,

si një shkëndijë e mirë,

si një hije që nuk prek, por bekon.

Sepse ka diçka brenda meje

që nuk dua të thyhet,

dhe as s’dua të shkelet—

dhe ajo është gjithçka që më mban gjallë.

Regensburg , më 2 dhjetor 2025

/QendraPress/